Policia në gadishmëri për të parandaluar krimet natën e Vitit të Ri
Në prag të festave të fundvitit, policia e shtetit ka shtuar masat e sigurisë për garantimin e rendit publik dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.Për këtë prej gati dy javësh, të gjitha shërbimet e Policisë së Shtetit kaluan në shërbim të përforcuar, me orar të zgjatur 12-orësh, ndërsa u publikuan edhe masat që ka marrë policia për natën e ndërrimit të viteve.Në një njoftim për mediat policia bëri me dije se masa të veçanta janë marrë në drejtim të parandalimit, zbulimit dhe goditjes në kohë të çdo lloj tendence kriminale, rritjes së sigurisë në rrugë, garantimin e punës normale në qendrat tregtare dhe parandalimin e ngjarjeve në ambientet e brendshme të tyre.Sipas policisë do ketë kontroll më të rreptë territori në sheshe, bulevarde dhe pranë lokaleve ku do te festohet nata e ndërrimit të viteve. Gjithashtu, uniformat blu kane marrë masa edhe për sigurimin e Ambasadave e rezidencave të tyre, si dhe për objekte të rëndësisë së veçantë, duke përfshirë edhe nënstacionet elektrike, depot e ujit apo dhe shërbime të tjera.Ndërkohë, punonjësit e policisë do të ushtrojnë kontrolle edhe ndaj drejtuesve të mjeteve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe për drejtim të mjetit në gjendje të dehur.Janë planifikuar gjithashtu masa dhe do të ushtrohen kontrolle të plota ndaj të gjithëve drejtuesve të mjeteve, të cilët nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, ecin me shpejtësi tej normave të lejuara apo drejtojnë automjetin nën efektin e pijeve alkoolike.Sipas uniformave blu këto kontrolle do të ushtohen kryesisht në orët e vona të natës dhe gjatë netëve që shoqërojnë festat e fundvitit, duke ngritur grupe kontrolli të organizuara në vende të ndryshme, si në qytet, ashtu dhe në linja.Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet dhe fishekzjarreve ku policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të bëjnë kujdes gjatë përdorimit të tyre.