PD i përgjigjet Ramës për BE-në: Nuk mund të fshehë dështimin për statusin
Partia Demokratike reagoi pasi kryeministri Edi Rama ripërsëriti edhe në konferncën e fundvitit se statusi i vendit kandidat për Shqipërinë u pengua nga rrymat ekstremiste brenda Bashkimit europian.Përmes koordinatores për mediat, Partia Demokratike tha se këto qëndrime antieuropiane të Ramës janë një tentativë për të fshehur dështimin e qeverisë.Deklarata e plotë"Kryeministri Edi Rama nuk njohu as sot, në show-n televiziv të fundvitit, përgjegjësinë e tij për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat në BE, si një prej dështimeve kryesore të qeverisë dhe qeverisjes së tij.Ai tregoi se nga një vesh i kanë hyrë, dhe nga veshi tjetër i kanë dalë shpjegimet replikuese të shumë kryeministrave dhe politikanëve të shquar të vendeve europiane, se statusi i Shqipërisë nuk është shtyrë nga ekstremistët antizgjerim të BE-së, por qeverisë shqiptare i është dhënë kohë të dëshmojë me prova, se është për shtetin ligjor dhe jo kundër tij.Qeverisë i është dhënë kohë të reflektojë mbi praktikat antidemokratike e antishtet, dhe të korrigjohet në përputhje me standardet europiane.Kryeministri ynë, ose nuk e kupton gjuhën e Europës, ose e kupton dhe ka dëshirë ta sfidojë, ose nuk dëgjon e nuk lexon më çfarë thonë europianet për qeverisjen e tij.Përndryshe nuk do të vazhdonte me avazin e vjetër se fajin për statusin e paska Europa, euroskeptikët. Madje sot ai shkoi më larg në megalomaninë e tij duke vënë në dyshim Bashkimin Europian si institucion, si projekt.Qëndrimi i Kryeministrit është sa i papjekur, aq edhe i rrezikshëm.Mund të jetë nga rastet e rralla jo vetëm në historinë tonë, por dhe më gjerë, që një kryeministër mban qëndrime që bien ndesh me aspiratën kombëtare.Në shumicë dërrmuese, qytetarët e vendit tonë janë pro Bashkimit Europian dhe ëndërrojnë integrimin e shpejtë. Të gjithë ne duam që fëmijët tanë të jenë pjesë e familjes së madhe të vlerave, të qytetarisë, të mirëqenies e zhvillimit ekonomik.Nuk mund të mbulohet dështimi i këtij kryeministri dhe kësaj qeverie me deklarata të papërgjegjshme kundër Bashkimit Europian, pasi këto janë akte të rënda, pasojat e të cilave mund të vuajë populli.Fabula e dhelprës me rrushin, që tha se nuk bën kur nuk e arriti dot, është një përrallë që Rama mund t’ia tregojë kabinetit të tij në drekat e darkat luksoze, por s’mund të jenë kurrë qëndrimi zyrtar i kryeministrit të Shqipërisë.Urojmë që z.Rama të dalë shpejt nga intoksikimi ekstremist, dhe të nisë vitin e ri me një tjetër mendje, me një tjetër logjikë, dhe të kërkojë falje sa ende nuk është vonë, për tritolin që po vë në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian", u shpreh Silvi Bardhi.