Egjipt, shpërthime në Mansoura, 14 viktima

Të paktën 14 persona janë vrarë dhe 120 të tjerë janë plagosur, pas dy shpërthimive të fuqishme në ndërtesën e policisë në qytetin Mansoura, bën të ditur Ministria e Brendshme egjiptiane.“Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm, sa që pjesë të gardhit rrethues të Drejtorisë janë shkatërruar totalisht”, raporton korrespondenti i Al Jazeera-s nga Drejtoria e Policisë së Sigurimit Dakhalya, gjatë orëve të para të së martës.Mes të plagosurve raportohet të ketë policë dhe civilë. Shpërthimi ndodhi më 01:10 me orën lokale, ndërsa sipas njoftimeve të fundit është shembur një pjesë e madhe e ndërtesës 5-katëshe.Al Ahram, një agjenci lajmesh egjiptiane, bën të ditur se menaxheri i përgjithshëm i spitaleve të Mansoura-s ka njoftuar për 120 të plagosur, veç viktimave.Mes të plagosurve është edhe kreu i Drejtorisë së Sigurimit, shton agjencia shtetërore e lajmeve MENA, duke cituar burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë, një fugon policie me 15 punonjës, i parkuar anës ndërtesës është shkatërruar plotësisht, ndërsa 4 trupa janë nxjerrë prej tij, kurse ekipet e shpëtimit po punojnë për nxjerrjen e trupave të tjerë.Shpërthimi i parë ndodhi në një nga katet e sipërme të ndërtesës, e më pas u ndoq nga një shpërthim me autobombë jashtë saj, njofton MENA.Të paktën 10 ambulanca janë drejtuar për në vendngjarje, ndërkohë që lajmi u publikua fillimisht në Twitter. Asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin, edhe pse ka raportime se keqbërësit kanë pasur informacione se cilët ishin pjesëmarrës në mbledhjen që po zhvillohej brenda ndërtesës.