Garantimi i të drejtave të njeriut, Bushati: Sfidë aktuale, ngushtimi i hendekut ligjbërje-ligjzbatim

Shqipëria ka ende punë për të bërë në drejtim të përmbushjes dhe garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Kështu u shpreh, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në pritjen vjetore të OSBE në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ku ishin të pranishëm zyrtarë të lartë, trupi diplomatik, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medias.“Kemi shumë për të bërë në fushat e lidhura me aksesin në drejtësi, për të patur një gjyqësor të pavarur. Kemi shumë për të bërë me lirinë e shprehjes, mbrojtjen e komunitetit rom, personat me aftësi të kufizuar, të drejtat e pakicave. Sot Shqipëria renditet në vendet me legjislacion të përditësuar. Ne e dimë që sfida aktuale mbetet ngushtimi i hendekut mes ligjbërjes dhe ligjzbatimit”, tha ai.Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, duke vlerësuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, tha se edhe sot pas 65 viteve nga miratimi i saj në OKB vazhdon të frymëzojë brezat e rinj.“65 vjet më parë, kur bota sapo kishte lënë pas tmerret e Luftës së II-të Botërore, OKB-ja adoptoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, që sanksionoi të drejtat tona natyrore dhe të patjetërsueshme. Sot kjo Deklaratë vazhdon të na frymëzojë ne dhe brezat e rinj. 23 vjet më parë, dhjetori shënoi fillimin e një lëvizjeje mbarëpopullore në Shqipëri. Ishte përgjigja ndaj regjimit dictatorial.Sot nuk ka sesi të mos kujtojmë rolin e rëndësishëm të OSBE-së. Të drejtat e njeriut janë në qendër të shoqërisë shqiptare. Në këtë proces Shqipëria ka marrë dhe vijon të marrë një sërë masash për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut”deklaroi Ministri.Ndërkaq ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig, falenderoi personat që ndihmojnë OSBE-në për respektimin e të drejtave të njeriut në vend.Në përfundim të ceremonisë ai dha nga një çmim për dy qytetarë nga Kukësi, Jonuz Kola dhe Fadil Shehu, të cilët ndihmojnë të mbijetuarit e minave dhe personat me aftësi të kufizuar.