Kryeministri yt! Në 8 dhjetor Rama bashkëbisedim live nga Kryeministria

Në datë 8 dhjetor, në Ditën e Rinisë, Kryeministri Edi Rama fton qytetarët për një bashkëbisedim të hapur me ta live nga Kryeministria në Sallën e Hartave, ora 17:30. Kryeministri do të jenë në shoqërinë e një grupi nxënësish, por fton që ky bashkëbisedim të ndiqet jo vetëm përmes televizionit e radios, por edhe duke marrë pjesë aktive me pyetje në rrjetet sociale Facebook e Twitter.“Të dielën 8 Dhjetor 17.30 LIVE nga Kryeministria. 8 Dhjetori është Dita e Rinisë. Në 8 Dhjetorin e largët 1990 nisi Lëvizja Demokratike që kulmoi me dorëzimin e regjimit komunist përballë kërkesës së studentëve për të pranuar pluralizimin politik dhe që çoi më pas në rënien përfundimtare të diktaturës. Në këtë 8 Dhjetor, në praninë e një grupi nxënësish e studentësh të shkëlqyer dhe për të kremtuar Ditën e Rinisë, kryeministria çel edhe serinë e përmuajshme të bashkëbisedimeve të hapura të Edi Ramës me qytetarët në Sallën e Hartave. Jeni të ftuar ta ndiqni këtë takim jo vetëm përmes televizionit e radios, po edhe duke marrë pjesë aktive me pyetjet tuaja në facebook e twitter” shkruan Rama.