Meta me homologun belg: Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve

Në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u prit sot nga Presidenti i Parlamentit të Belgjikës, André Flahaut.Gjatë takimit të dy homologët vlerësuan maksimalisht marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve, si dhe ndanë mendime për rrugët e intensifikimit të këtyre marrëdhënieve në fusha me interes reciprok.Nxitja e mëtejshme e bashkëpunimit mes dy vendeve, reformat institucionale në Shqipëri dhe hapat drejt integrimit në Bashkimin Europian ishin disa nga çështjet kryesore që u diskutuan në takim.Presidenti i Parlamentit të Belgjikës, Flahaut shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe theksoi se kjo vizitë është një mundësi shumë e mirë për të ndarë ide mbi rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në funksion të të ardhmes dhe paqes mes dy popujve.“Jam shumë i lumtur që pres mikun tim Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta dhe mendoj se është një mundësi e mirë për ne që të shkëmbejmë disa ide dhe disa reflektime në lidhje me situatën në të dy vendet, por edhe në lidhje me marrëdhëniet mes dy parlamenteve, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me këtë vend të vogël të Europës me qëllim ndërtimin e një Europe të fortë për të ardhmen dhe paqen e dy popujve tanë” tha ai.Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Meta çmoi mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt konsolidimit të demokracisë dhe integrimit Europian. Në këtë kontekst, Meta shprehu edhe njëherë vendosmërinë e Shqipërisë për të plotësuar kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe për të ecuar përpara në përmbushjen e aspiratës së saj për anëtarësim në Bashkimin Europian.Duke u ndalur edhe në interesimin në rritje të investitorëve belgë për të investuar në Shqipëri, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta nënvizoi se bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar është një dimension tjetër i rëndësishëm i marrëdhënieve mes dy vendeve.“Ishte kënaqësi e veçantë për mua që të pritesha sot nga Presidenti i Parlamentit të Belgjikës për të konfirmuar marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve, midis dy parlamenteve tona. Njëkohësisht për të treguar së bashku vendosmërinë për t’i rritur këto marrëdhënie, për t’i bërë ato akoma më konkrete edhe përmes shkëmbimeve parlamentare. Ishte një kënaqësi që gjeta mirëkuptimin e Presidentit të Parlamentit të Belgjikës lidhur me përmbushjen e aspiratës sonë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat pas plotësimit të kushteve nga ana e Shqipërisë. Njëkohësisht, është kënaqësi të vlerësoj kontributin e komunitetit shqiptar në Belgjikë dhe integrimin gjithnjë e më të mirë të këtij komuniteti, i cili tani ka të drejtë jo vetëm të zgjedhë, por edhe të zgjidhet dhe shumë prej tyre luajnë një rol të rëndësishëm sidomos në nivel të pushtetit lokal këtu, gjë që kontribuon edhe për të përforcuar marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Belgjikës. Ashtu sikurse është kënaqësi të shohim se gjithnjë e më shumë ka interes nga investitorë belgë për të investuar në Shqipëri dhe ky është një dimension shumë i rëndësishëm, pra bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve tona”u shpreh Meta.Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë ftoi homologun e tij belg, për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë të cilën Flahaut e priti me kënaqësi.