Master-plani për tregun e gazit, Gjiknuri: Grup të përbashkët pune me SOCAR
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknur,i mori pjesë në punimet e forumit të Kaspikut që zhvilloi punimet në datat 4 dhe 5 Dhjetor në Stamboll të Turqisë.Forumi Kaspik është një platformë që eksploron potencialin ekonomik, politik dhe strategjik të Rajonit të Kaspikut, duke përcaktuar fushat e bashkëpunimit dhe partneritetit.Ministri ishte pjesë e panelit me temë “Korridori i Gazit Jugor, nyja më e rëndësishme e sigurisë energjetike të rajonit” ndërsa ju drejtua të pranishmëve me një fjalim të rastit.Ministri nënvizoi rëndësinë që ka projekti i gazsjellësit TAP për Shqipërinë, rajonin dhe më tej për Evropës në tërësi. Në vlerësimin e Ministrit, Shqipëria ashtu sikurse edhe vende të tjera të rajonit kanë nevojë të krijojnë infrastrukturën e gazifikimit dhe jo thjesht të mbeten vende transit të këtij projekti.
Gjiknuri garantoi se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka që ky projekt të zbatohet në kohë por njëkohësisht po lobon aktivisht me shumë parnterë strategjik siç mund të jenë SOCAR apo kompani kompani turke për tu përfshirë në zhvillimin e rrjetit të gazit në vend por edhe më gjërë duke përfshirë dhe Kosovën e Malin e Zi si dy vende të tjera të pa gazifikuara.Ministri Gjiknuri vlerësoi se nevoja për gaz në Shqipëri dhe rajon sa vjen e rritet sidomos për gjenerim elektriciteti por edhe për përdorim industrial.Gjatë punimeve të forumit, Gjiknuri zhvilloi takime të veçanta edhe me drejtuesit e kompanisë SOCAR duke i kushtuar vëmendje thellimit të bashkëpunimit në drejtim të hartimit të master planit për tregun e gazit në Shqipëri. Me drejtuesit e SOCAR u ra dakord që të formohet një grup i përbashkët pune për të avancuar në këtë drejtim duke sjellë ekspertët në terren për të vlerësuar të dhënat.Ministri u takua në këtë forum edhe me drejtues të shoqërisë BP dhe disa shoqëri turke në fushën e gazit ndërsa pati një bashkëbisedim edhe me Ministrin turk të Energjisë.Forumi i Kaspikut, Stamboll 2013, shqyrtoi çështjen e burimeve energjetike të rajonit, diversifikimin ekonomik, projekte të transportit, dhe çështjet e sigurisë.