Raporterët e KiE-Nishanit:Të shqetësuar për ndërhyrjet e politikës në drejtësi

Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, bazuar në arritjet e deritashme.Kështu është shprehur presidenti Bujar Nishani në një takim me Delegacionin e monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Jonathan Evans, Raportues  i Komitetit për Shqipërinë.Sipas presidentit, një vendim i tillë do të inkurajonte procesin e reformave në të ardhmen, ndër të cilat veçoi sfidat për konsolidimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformimin e sistemit të drejtësisë  mbi parimin e profesionalizmit, transparencës, parandalimit të influencave dhe presioneve nga politika, apo nga interesa të tjera korruptive.Gjithashtu Presidenti Nishani rikonfirmoi vendosmërinë e institucioneve dhe shoqërisë shqiptare për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian dhe, në këtë kuadër, nënvizoi se, pavarësisht faktit se përgjegjësia dhe barra kryesore bie mbi ne, partneriteti dhe bashkëpunimi me institucione si Këshilli i Evropës mbetet prioritar për arritjen e rezultateve dhe standardeve të kërkuara.Nga ana e tij, Evans, pasi vlerësoi sukseset e reformave në Shqipëri, shprehu shqetësimin për perceptimin e lartë të korrupsionit në vend dhe mundësinë e ndërhyrjes së politikës në drejtësi dhe aspekte të tjera dhe shfaqi bindjen se Presidenti mund të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe në inkurajimin e dialogut dhe konsensusit të nevojshëm politik të domosdoshëm për mbarëvajtjen e procesit të reformave dhe integrimit.Presidenti vuri në dukje se pjekuria politike dhe shoqërore janë faktorë inkurajues dhe e siguroi bashkëbiseduesin se do të vijojë të jetë garantues i pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe inkurajues i një klime politike bashkëpunimi në vend.