Përfundon rruga “Agush Gjergjevica”, Basha: Tirana europiane po shndërrohet në realitet
Me një investim prej 113.4 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka ndërtuar tërësisht rrugën “Agush Gjergjevica”, në njësinë bashkiake nr.1. Në këtë rrugë me gjatësi 1 163 metra linearë dhe gjerësi 6 m janë ndërtuar trotuaret në të dy anët e rrugës, janë mbjellë 170 copë pemë, janë vendosur ndriçuesit dhe muret rrethues janë zëvendësuar me kangjella. Është ndërtuar rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimeve të ujërave të zeza e të bardha.Kryebashkiaku Lulzim Basha ka parë nga afër përfundimin e punimeve të kësaj rruge e cila do u shërbejë më shumë se 3500 banorëve.“Përfundimi i rrugës “Agush Gjergjevica” është një tjetër fakt që dëshmon për përparimin e projektit tonë, për ndërtimin e Tiranës moderne dhe europiane, të një Tirane që nis nga pragu i derës së çdo qytetari. Kjo, me të vërtetë nuk është një rrugë qendrore e qytetit të Tiranës por është një rrugë, në krahët e së cilës i shërbehet një komuniteti prej më shumë se 3500 banorësh. Jo vetëm kaq! Rruga është tashmë një arterie lidhëse, së bashku me rrugën “Pashko Hysa” që përfundon brenda javës që vjen e të gjithë njësisë bashkiake nr.1, do të thoja edhe më gjerë, pra afro një të shtatës të qytetit të Tiranës, me zonën e Farkës, me qendrën tregtare dhe në tërësi një rrugë komunikuese, jo vetëm një rrugë lagjeje.Në këtë mënyrë i shërbehet dyfish Tiranës moderne dhe europiane, i shërbehet me përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, komunitetit që jeton këtu ( jo pak por mijëra qytetarë të Tiranës që jetojnë në këtë aks). Së dyti, i shërbehet përmirësimit të parametrave të trafikut, duke krijuar arterie të reja nëpërmjet së cilave qytetarët mund të qarkullojnë nëpër destinacionet e dëshiruara gjatë ditës.Rruga është ndërtuar me parametra krejtësisht europianë. Trotuaret dhe dimensionet e rrugës, ndriçimi dhe gjelbërimi janë provë e qartë e këtyre, por po kështu është bërë një punë e madhe nëntokësore, kanalizimet e ujërave të zeza, ujësjellës si dhe aty ku janë zhvendosur oborret e shtëpive, ne kemi aplikuar me shpenzimet e projektit ndërtimin e kangjellave, duke i dhënë një profil europian kësaj rruge tashmë të përfunduar dhe të marrë në dorëzim nga komuniteti.“Dua të përgëzoj kontraktorin i cili ka punuar me cilësi dhe në një kohë të shkurtër, dua të falënderoj të gjithë banorët për durimin gjatë punimeve në rrugë dhe dua të uroj banorët e kësaj rruge por edhe banorë e mbarë kësaj zone që do të përdorin këtë rrugë, që ta gëzojnë këtë investim të Bashkisë së Tiranës, këtë investim të taksave të tyre, këtë premtim të mbajtur dhe këtë risi që afron edhe më shumë këtë zonë të Tiranës me standardin europian, që kemi synim ta shtrijmë anembanë qytetit” - deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.