Gjermani, Meta takim me Haber: Shqipëria të vijojë reformat
Gjatë vizitës në Berlin, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u prit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë nga Sekretarja e Shtetit Emily Haber.Në fjalën e saj, znj. Haber u shpreh se pas zgjedhjeve të lira e demokratike, Shqipëria i ka shtuar përpjekjet e saj në adresimin e prioriteteve të Komisionit, dhe se duhet të vazhdojë në këtë drejtim, sidomos në rritjen e zbatueshmërisë së ligjeve.Znj. Haber u shpreh se Gjermania i çmon marrëdhëniet me Shqipërinë dhe vlerëson si shumë të rëndësishme përqasjen pozitive dhe të qëndrueshme të vendit në rajon.Në këtë drejtim, znj. Haber dhe Meta ndanë bindjen se qëndrueshmëria e ritmit të reformave të nisura nga Qeveria e re dhe thellimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, do të jenë kyçe në funksion të përparimit të axhendës evropiane të Shqipërisë.Kryeparlamentari Meta u shpreh se Qeveria e re po tregon vullnet të qartë në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërkohë që Kuvendi është fokusuar në mbarëvajtjen e një dialogu politik konstruktiv dhe në forcimin e dimensionit të gjithëpërfshirjes.Meta gjithashtu theksoi se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat në BE, dhe se mbështetja e Gjermanisë do të jetë vendimtare në këtë drejtim, duke nënvizuar njëkohësisht se pavarësisht vendimit të Këshillit në dhjetor, Shqipëria është e vendosur të vazhdojë me thellimin e reformave të nevojshme.Kryetari i Kuvendit e përmbylli vizitën e tij në Berlin duke zhvilluar një takim të veçantë edhe me Këshilltarin e Kancelares Merkel për Politiken e Jashtme dhe të Sigurisë Christoph Heusgen, me të cilin diskutuan mbi zhvillimet në Shqipëri dhe rajon.