Beogradi “zbarkon” në veri, nesër Vulin, të premten Daçiç

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç do të vizitojë të premten Mitrovicën Veriore. Lajmi është konfirmuar nga sekretari i Qeverisë serbe, Veljko Odalovic.Odalovic ka ftuar serbët e Mitrovicës që të dalin në numër sa më të madh në zgjedhjet e përsëritura që do të mbahet më 17 nëntor, duke e mbështetur Listën “Serbia” dhe kandidatin e saj për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Kërstimir Pantic.Odalovic ka theksuar se 17 nëntori është dita kur serbët duhet të vendosin, duke shtuar se “serbët në vitin 1999 fizikisht e kanë mbrojtur urën mbi lumin Ibër, kurse tani ajo që duhet të bëjnë është të mbështesin ata që Qeveria e Serbisë i mbështet”.“Këta të tjerët sot udhëheqin me 2000:0, këto janë vota që janë pranuar në katër vendvotime në Mitrovicë dhe të cilat sipas KQZ-së janë të rregullta. Nuk duhet t’i kërkojmë 2001 vota, duhet të tregojmë unitet dhe bashkim”, ka thënë Odalovic.Nga ana tjetër Ministri i Serbisë për Kosovën, Aleksandar Vulin, nesër do të takohet në veri të Mitrovicës me serbët veteranë të luftës në Kosovë, me të cilët do të bisedojë për statusin dhe pozitën e tyre.Takimi i Vulinit me veteranët serbë të luftës do të mbahet në ambjentet e ish Fakultetit Teknik të UP-së në veri të Mitrovicës.Siç njoftojnë mediat serbe takimin do ta udhëheqë bashkëpunëtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Mocilo Jeftic, kurse veteranëve do t’u drejtohet kryetari i “Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Kosovës dhe Metohisë” , Sasa Bozovic.