Rusia mbështet Serbinë, i jep 800 milionë dollarë kredi

Rusia i ka akorduar Serbisë një kredi në shumë prej 800 milionë dollarësh amerikanë për ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore me afat shlyerje prej pesë vjetëve. Lajmi është bërë i ditur nga ministri rus i Financave, Anton Siluanov.Ai saktësoi se norma e interesit për këtë kredi do të jetë 4.1 për qind dhe se një pjesë e kësaj kredie do t’i jepet në dispozicion Serbisë që këtë vit, njofton agjencia ruse e lajmeve Interfaks.Sipas mediave beogradase Serbia ka kërkuar kredi në shumë prej 1 miliardë dollarëve, nga të cilat për këtë vit, 300 milionë. Për realizimin e ndërtimit dhe modernizimit të hekurudhave nevojiten gjithsej 920 milionë dollarë, por Serbia duhet të sigurojë vet 15 për qind të kësaj shume, apo 120 milionë dollarë.Me kushtet e kredisë është parashikuar që 70 për qind të punimeve t’i kryejnë firmat ruse, kurse vetëm 30 për qind ato serbe. Negociatat për kredinë ruse kanë filluar që në vitin 2009, kurse gjatë vitit 2010 janë tërhequr 200 milionë dollarë për përkrahje të buxhetit shtetëror të Serbisë.Në këtë mënyrë është bërë realitet premtimi i dhënë në fillim të këtij viti nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, për lëvrimin e 800 milionë dollarëve kredi për Serbinë, gjatë një takimi që pati me homologun serb, Tomisllav Nikolliç.“Ne e shohim Serbinë jo vetëm si partner tonin tradicional dhe shumë të rëndësishëm në Ballkan, por serbët janë edhe vëllezërit tanë shpirtërorë”, ka thënë Putin.