Maqedoni, MPJ dënon djegien e flamujve maqedonas në Tiranë

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë ka dënuar ashpër aktet vandale të djegies së flamurit shtetëror maqedonas mbrëmjen e së premtes në Tiranë.Persona të panjohur mbrëmë në Tiranë kanë djegur flamujt maqedonas, që ishin vendosur në shtyllat e kryeqendrës shqiptare, me rastin e vizitës së kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski.“Vlerësojmë se një akt i tillë jocivilizues nuk është në favor të marrëdhënieve miqësore midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, dhe sidomos kjo ngjarje ndodhi pas vizitës zyrtare të kryeministrit Nikolla Gruevski, ku dyja vendet theksuan marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, mirëbesimin dhe miqësinë. Me rëndësi është që të mos lejohet që të shkaktohen dëme në marrëdhëniet që duam ti ndërtojmë në frymën evropiane”, thuhet në reagimin e MPJ-së.Ambasada e Maqedonisë në Tiranë i ka dërguar një notë verbale MPJ-së së Shqipërisë, lidhur me incidentin, duke kërkuar që të kapen dhe dënohet autorët e këtyre akteve vandale.