Hoxhaj: Serbia do ta njohë Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane “Süddeutsche Zeitung”, ka thënë se Serbia një ditë do të njohë pavarësinë e Kosovës.Lidhur me paralajmërimet e Serbisë që asnjëherë nuk do të njoh pavarësinë e Kosovës, kryediplomati kosovar ka thënë se me një qasje të tillë rruga e Serbisë në Evropë, do të jetë përjetësisht e mbyllur.“Edhe Gjermania ka thënë shumë qartë: pa fqinjësi të mirë me Kosovën nuk do të ketë anëtarësim në BE. Me pranimin e disa marrëveshjeve Beogradi dalëngadalë po e pranon realitetin e Kosovës së pavarur. Ne jemi duke biseduar edhe për themelimin e zyrave ndërlidhëse. Serbia do të njoh formalisht pavarësinë e Kosovës”, ka paralajmëruar Hoxhaj.Duke folur për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, Hoxhaj ka thënë se deri në mes të muajit dhjetor do të ketë dy pika kufitare në anën kosovarë dhe dy tjera në anën e Serbisë.Sipas tij, kjo marrëveshje do të mundësojë që produktet kosovare më në fund të arrijnë në tregun evropian.“Deri më tani nuk kemi parë vullnetin e Beogradit për të implementimin e kësaj marrëveshje. Bashkimi Evropian dhe Gjermania duhet t’i bëjnë më shumë presion Serbisë, në mënyrë që të mund të ecim përpara”, ka shtuar Hoxhaj.Ai ka folur edhe për pesë vjetët e shtetndërtimit në Kosovë. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe është implementuar Pakoja e Ahtisaarit, janë forcuar institucionet demokratike, derisa në shtator është larguar mbikëqyrja ndërkombëtare.“Shtetndërtimi i Kosovës është rrëfimi më i suksesshëm në historinë e Ballkanit”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se progresi në Kosovë duhet të matet me gjeografinë, e cila quhet Ballkan.