Ekonomia shqiptare në kolaps, Cani: Jemi si në 1997-ën, FMN: Merrni masa urgjente
Ministri i financave Cani e ka cilësuar si mjat të rëndë situatën financiare në vend.Në një konferencë të përbashkët për shtyp me misionin e FMN-së i cili ka përmbyllur takimet në Tiranë dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ministri Cani theksoi se gjatë këtij viti janë mbledhur 3.8 përqind më pak të ardhura.Cani: Situata financiare e rënduar. Borxhi publik mbi 67 përqind
Sipas tij, e vetmja zgjidhje është thyerja e deficitit dhe e borxhit publik që sipas tij deri në fund të vitit do të shkojë 73 përqind.“Paratë janë harxhuar ndjeshëm gjatë 8 mujorit të parë, për pasojë borxhi publik nuk do jetë 64% sa ishte zotimi i qeverisë së mëparshme, por mbi 67%. Këtu nuk kam përfshirë pagesat për punimet e kryera gjatë viteve, pasi po të shtojmë edhe këtë pjesë të borxhit të fshehtë, vetëm pjesën e detyrimeve që shteti i ka bizneseve, defiçiti duhet të arrijë jo më pak se 73%”, tha Cani, duke shprehur se synohet të vihet borxhi nën kontroll.Sipas tij, rritja ekonomike për këtë vit pritet të jetë e përgjysmuar nga sa ishte e parashikuar, pra jo mbi 3% si ishte parashikimi.Ai ka garantuar daljen nga emergjenca, stabilizimin e gjendjes dhe kthimin e rritjen e qëndrushme ekonomike. Ministri premtoi paraqitjen e një pakete shumë shpejt, që nga rimodelimi i skemës së pensioneve, reforma strukturore për tatimet e doganat, heqjen e tvsh për medikamentet, ndihmë për shtresat në nevojë dhe paraqitjen e taksës progresive.Ndërsa sipas Shefit të FMN-së, Nadeem Ilahi, vihet re dobësi në ekonomi dhe për këtë rritja ekonomike pritet të jetë 1.7%.Ilahi: Problemet me ekonominë vijnë nga sektori fiskal
“Ne mendojmë që vitin e ardhshëm rritja ekonomike mund të arrijë 2.3%. Shikojmë devijime të konsiderueshme të politikës fiskale për shkak të mosrealizimit serioz të të ardhurave, krahasuar me pritshmërinë dhe historia e detyrimeve të akumuluara të pashlyera. Problemi ka ardhur duke u përkeqësuar dhe një nga detyrat e misionit ishte të bënte vlerësim të detyrimeve të prapambetura. një vlerësim paraprak i tyre është 56 miliardë lekë. Nëse do të renditeshin në shifren e borxhit publik të shpallur, atëherë shifra do kalonte 72%.”- tha Shefi i i FMN-së, Ilahi.Ai theksoi se qeveria duhet të ndërmarrë një plan afatmesëm për qëndrueshmërinë e financave publike.“Duhet përcaktuar një objektiv afatmesëm për të ulur borxhin, por duhet marrë parasysh se masa e korrektimit nuk duhet të jetë shumë agresive. Ulni defiçitin fiskal duke nisur nga viti 2005. Duhet filluar reforma në fushën e taksave se aty përkeqësimi ka qenë mjaft i keq. Qeveria duhet të fillojë përpjekje për të dokumentuar detyrimet e prapambetura dhe pas verifikimit të ketë një vlerësim nga një agjenci e pavarur, që proçesi të jetë i paanshëm, e më pas të bëhet plani se si do të shlyhet. Qeveria të marrë reforma për të parandaluar krijimin e detyrimeve në të ardhmen. Korrektimi i borxhit s`mund të kryhet në një vit”, u shpreh Ilahi.Fullani: Ekonomia jonë duhet të korrektohet
Ndërsa Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në fjalën e tij është ndalur tek niveli i dobët i kërkesës në vend, si dhe investimet e ulëta, që sipas tij reflektohet në një rritje të dobët ekonomike.“Këto dy javë kemi pasur bisedime intensive me FMN lidhur me situatën në vend, dhe perspektivat e vendit. Në takimet e përmuajshme ne ndajmë me ju ecurinë e ekonomisë. Ekonomia shqiptare po vuan nga kërkesa e dobët agregate, e cila reflekton rritje të ulët të ekonomisë. Shpenzimet e familjeve, të sektorit privat, investimet, etj; nuk arrijnë të vënë në shfrytëzim të plotë kërkesat e ekonomisë sonë. Ka vështirësi për shumë biznese dhe krijon rritje të kredive me problemeve. Kërkohen politika për nxitje dhe stimulim të ekonomisë. Vëmendje i duhet kushtuar edhe zbutjes së pasigurisë në ekonomi. Rritja e borxhit rrit vulnerabilitetin e ekonomisë shqiptare, dhe dobëson sigurinë”, u shpreh Fullani.Sipas Fullanit, nevojitet konsolidim i financave publike, për të mundësuar një sistem të qëndrueshëm financiar. Sistemi bankar, sipas guvernatorit, vijon të jetë fitimprurës ndërsa shton se nevojitet përmirësim i kuadrit ligjor sa i takon ekzekutimit të kolateralit.“Konsolidimi i financave publike duhet të ankorohet në një situatë më të qetë dhe transparente. Stabiliteti ekonomik e financiar është i domosdoshëm për një rritje të ekonomisë. Për këtë ne kemi mundësuar uljen e normës bazë të interesit. Po kështu jemi fokusuar tek stimulimi i kredidhënies. Sistemi bankar mbetet fitimprurës dhe likuid. Dh kjo duhet ë jetë në vazhdim në vëmendjen tonë. Prioritet është garantimi largimi i pasigurive në ekonomi dhe garantimi i primeve. Pasiguria vjen më shumë nga investimet huaja, pasi nuk ka siguri, nga frika e informalitetit. Synohet krijimi i një klime të përshtatshme për biznesin. Dhe të garantohet zbatimi i kontratave. Reflektimi i kësaj është i menjëhershëm. Po kështu nevojitet përmirësimi i kuadrit ligjor sa i takon ekzekutimit të kolateralit. Kjo do i garantonte sistemit bankar se Shqipëria është një vend i sigurt ku mund të kreditosh. Ekonomia shqiptare vuan edhe nga dobësi strukturore, të cilat kufizojnë ritmin e rritjes”, u shpreh Fullani