Gjermani, paga minimale temë qëndrore e fushatës elektorale

Ndërsa ekonomia ka rishfaqur shenja përmirësimi, disa vende të Bashkimit Evropian, përfshirë Poloninë dhe Rumaninë kanë rifilluar diskutimin e çështjes së pagës minimale. Por debati është intensifikuar në Gjermani, vendi  i vetëm i Bashkimit Evropian që nuk ka një ligj për rrogën minimale.Kjo çështje është vënë në qendër të debateve mes Kancelares Angela Merkel dhe Peer Steinbruckut të Partisë Social Demokrate, kundërshtari i saj në zgjedhjet federale të caktuara për t’u mbajtur këtë muaj.Partia Social Demokrate e Gjermanisë e ka bërë rrogën minimale, çështjen mbizotëruese në fushatën aktuale politike. Kandidati i kësaj partie për postin e kancelarit Peer Steinbrück, ka rekomanduar një pagë minimale prej 8.50 euro për të gjithë punonjësit gjermanë dhe ka premtuar të miratojë një ligj për të brenda 100 ditëve të para të qeverisë së tij, nëse fiton.Në fillim, Kancelarja Angela Merkel ishte kundër ligjit për një rrogë minimale, por tani po bën fushatë me idenë se industritë e ndryshme dhe sindikatat duhet ta përcaktojnë rrogën minimale me negociata.  Partia e saj Kristian-Demokrate druhet se një pagë minimale e përcaktuar do t’i bëjë prodhimet gjermane jo konkurruese dhe do të eliminonte miliona vende pune. Kristian-demokratët sjellin si shembull Francën ku një rrogë minimale prej 9.43 eurosh në orë, i ka bërë punëdhënësit të hezitojnë të punësojnë dhe konsiderohet një arsye kryesore për papunësinë mes të rinjve.Sipas një studimi të Bashkimit Evropian në korrik, vendi me rrogën më të lartë minimale në BE është Luksemburgu, ndërsa rroga më e ulët minimale është në Bullgari. Zgjedhjet në Gjermani mbahen më 22 shtator.