Kerry dhe Lavrov diskutojnë planin mbi armët kimike në Siri
Sekretari i Shtetit John Kerry dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të takohen sot në Gjenevë për të punuar mbi një plan për t’i dhënë fund kërcënimit që paraqesin armët kimike siriane.As sekretari amerikan Kerry dhe as Ministri Lavrov nuk kanë dhënë hollësi për takimin. Plani synon të garantojë se qeveria e Presidentit Bashar al-Assad ka hequr dorë nga të gjitha armët kimike duke ua dorëzuar ato Kombeve të Bashkuara për t’i asgjësuar. Njëkohësisht, Shtetet e Bashkuara do të pezullonin planet për një goditje ushtarake.Duke thënë se bien dakord me planin në parim, autoritetet siriane kanë pranuar për herë të parë se vendi i tyre ka një arsenal me armë bërthamore, gjë që ndryshon plotësisht nga të gjitha deklaratat e tyre të mëparshme mbi këtë temë. Siria thotë tani se do të nënshkruajë një pakt global për ndalimin e armëve të tilla.Presidenti Barak Obama tha se anijet amerikane në rajonin e Mesdheut po qëndrojnë në pozicionet e tyre aktuale për të vazhduar presionin ndaj Sirisë që të përmbushë angazhimet që ka bërë.Sekretari i Shtetit Kerry tha se arritja e një marrëveshjeje për të eliminuar kërcënimin nga armët kimike në Siri do të jetë “tepër e vështirë”.Thuhet se numri i armëve kimike dhe gazit helmues që disponon Siria është tepër e madh dhe armët të shpërndara në baza të ndryshme në të gjithë vendin. Asgjesimi i tyre kërkon dërgimin e inspektorëve të OKB-së në mbarë vendin për identifikimin dhe vënien e tyre nën kontrollin e OKB-së.