Barroso kërkon krijimin e unionit bankar
"Liderët e politikës duhet të vazhdojnë përpjekjet." Kështu u shpreh presidenti i Komisionit Evropian Barroso duke shtuar se bashkimi duhet të përfundojë projektin në mënyrë që taksapaguesit të mos jenë më të parët që e pësojnë kur bankat falimentojnë. Ai kërkon që të krijohet një bashkim bankar sa më shpejt të jetë e mundur.Duke folur nga Strasburgu Barroso u shpreh se qeveritë evropiane duhet të fokusohen në rritjen ekonomike sepse problemi kryesor në ditët e sotme është papunësia që shkon deri në 26 milionë të papunë, diçka kjo e papranueshme.Pritet që Parlamenti Evropian të votojë legjislacionin për krijimin e shtyllës së parë të këtij bashkimi bankar, një mbikqyrje e bankave më të mëdha të eurozonës nga banka qëndrore evropiane edhe pse ky plan po kundërshtohet nga disa qeveri evropiane. Parlamenti pritet që të enjtën të votojë në legjislacionin i cili do e krijojë të parin nga tre shtyllat e unionit bankar, një trup i centralizuar që do i kontrollojë bankat e mëdha.Ndërsa në lidhje me Sirinë presidenti i Komisionit Evropian Barroso tha se nevojitet një kundërpërgjigje e ashpër në lidhje me posedimin dhe përdorimin e armëve kimike kurse pranimin e propozimit të planit rus për kontrollon e armëve kimike nga ndërkombëtarët ai e konsideron si një zhvillim pozitiv.Ai kritikoi Rusinë për presionin që po u bën ish shteteve sovjetike që të kundërshtojnë Bashkimin Evropian dhe të qëndrojnë në anën e Rusisë sidomos mbi Ukrainën, shtetin më të madh ish sovjetik.