Kontroll mbi armët kimike të Sirisë, propozimi i Francës mbështetet dhe nga Rusia

Franca dhe Rusia janë duke hartuar plane të veçanta për vënien e armëve kimike të Sirisë nën kontrollin ndërkombëtar, pas hedhjes së kësaj ideje si mënyrë për të zgjidhur çështjen e sulmeve kimike në luftën civile siriane dhe për të shmangur sulmet ushtarake amerikane.Franca do të prezantojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një rezolutë, nëpërmjet të cilës do të kërkohet që stoku i armëve kimike të Sirisë të vendoset nën kontrollin ndërkombëtar e më pas të shkatërrohen. Këtë e bëri të ditur ministri i Jashtëm, Laurent Fabius, gjatë së martës.Vendimi i Parisit për të paraqitur këtë propozim vjen pasi Rusia paraqiti këtë ide, të pranuar prej Sirisë dhe të vlerësuar si e denjë për "t'u marrë në konsideratë" nga SHBA, si një mënyrë për të shmangur ndërhyrjen ushtarake mbi regjimin e al-Assad.Fabius theksoi se rezoluta do të parashikojë pasoja tepër të rënda për Damaskun, nëse do të shkelen klauzolat e saj. Ministri i Jashtëm përcaktoi se rezoluta do të përmbajë pesë pika kryesore, e do të bazohet mbi kërkesën që Siria të zbardhë plotësisht programin e tij të armëve kimike.Ndërkaq Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se zyrtarët rusë janë duke përgatitur një "plan konkret" së bashku me Sirinë, dhe presin t'ia paraqesin propozimin edhe vendeve të tjera së shpejti.Presidenti amerikan Barak Obama e quajti planin rus për të vënë armët kimike të Sirisë nën kontrollin ndërkombëtar një përparim të mundshëm, por theksoi se kjo nuk do të materializohej dot pa kërcënimin ushtarak.Sot, Presidenti Obama shkon në selinë e Kongresit për t'u takuar me ligjvënësit në përpjekje për të fituar mbështetje lidhur me një rezolutë që autorizon veprime ushtarake amerikane kundër Sirisë.Megjithatë, në një seri intervistash mbrëmë, ai theksoi se preferon shumë më tepër diplomacinë për të frenuar përdorimin e armëve kimike nga Siria. Presidenti do të mbajë sonte një fjalim në televizion drejtuar vendit.Nëpërmjet të drejtës së vetos, Rusia ka bllokuar më parë disa projekt-rezoluta të propozuara nga Franca në Këshillin e Sigurimit, për vendosjen e sanksioneve të ndryshme mbi Sirinë.