Mandela del nga spitali, gjendja vazhdon të mbetet kritike
Nelson Mandela ka lënë spitalin dhe ka shkuar në Johanesburg, në shtëpinë e tij, ku ai po vazhdon të marrë kujdes intensiv. Në një deklaratë të presidencës së Afrikës së Jugut, theksohet se gjendja e 95-vjeçarit mbetet kritike dhe e paqëndrueshme.Presidenti i parë i Afrikës së Jugut, i zgjedhur demokratikisht ka qenë në spital që prej Qershorit, pasi vuan nga një infeksion i mushkërive."Ekipi i tij i mjekëve janë të bindur se ai do të marrë të njëjtin nivel të kujdesit intensiv në Houghton, në shtëpinë e tij" theksohet në deklaratën e presidencës.Javën e kaluar, mjekët thanë se ai ishte në gjendje kritike, por tregoi aftësi rekuperimi dhe që atëherë nuk kishte pasur të dhëna të reja mbi të.Presidenti i parë me ngjyrë, Nelson Mandela, konsiderohet si babai i kombit. Qëndrimi i tij i gjatë në spital ka shkaktuar shqetësim si në Afrikën e Jugut ashtu edhe jashtë saj. Infeksioni i tij thuhet se e ka zanafillën tek periudha prej tre dekadash që ai kaloi në burg për aktivitetin anti-aparteid.Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe është respektuar gjerësisht për atë që ka bërë për paqen që i solli Afrikës së Jugut.