Obama: Ndërhyrje në Siri, pres “OK” e Kongresit, edhe pa mandat nga OKB
Presidenti amerikan Barak Obama, i ka kërkuar zyrtarisht Kongresit të autorizojë veprime ushtarake kundër Sirisë pas sulmeve të dyshuara me armë kimike. Ai tha se çdo veprim do të jetë i kufizuar, ndërsa ka përjashtuar një sulm tokësor. Në një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë të Shtunën, presidenti Obama tha se ai vendosi se SHBA "duhet të marrë masa kundër objektivave të regjimit sirian".Si kryekomandant, Obama ka autoritetin kushtetues për të nisur një luftë pa mbështetjen e Kongresit - Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve. Megjithatë, ai tha se ishte e rëndësishme që të ketë debat."Unë kam besuar gjatë se fuqia jonë është e rrënjosur jo vetëm në fuqinë tonë ushtarake, por në shembullin tonë si një qeveri e popullit, nga populli dhe për popullin."Dhe kjo është arsyeja pse unë kam marrë një vendim të dytë: Unë do të kërkoj autorizim për ndërhyrje në Siri në Kongres," theksoi Obama. Kërkesa e Obamës ndaj Kongresit vjen kur Uashingtoni deklaroi se kishte prova se 1429 njerëz u vranë në sulmet kimike nga ushtria siriane më 21 Gusht.Obama tha se sulmi kimik në Siri kërcënon të vërë në lojë vendimin e komunitetit ndërkombëtar për të mos lejuar përdorimin e armëve kimike, duke kërcënuar aleatët dhe partnerët, dhe mund të çojë në shkallëzimin e përhapjes së këtyre armëve.Presidenti tha se ushtria amerikane është e përgatitur për sulm dhe ai është i përgatitur për të dhënë urdhërin përfundimtar. Qeveria siriane ka hedhur poshtë akuzat për përfshirjen në sulme me armë kimike dhe thotë se do ta mbrojë vendin kundër çdo mase ushtarake. Zyrtarë të lartë të administratës thanë se autorizimi i sulmit po hartohet dhe se Obama beson se Kongresi do ta miratojë.Një dokument i shërbimeve amerikane të zbulimit fajëson direkt regjimin e Asadit për planifikimin dhe kryerjen e sulmit kimik të 21-Gushtit dhe thotë se të paktën 1,429 sirianë, përfshirë 426 fëmijë.Obama e cilësoi e sulmin kimik një goditje mbi dinjitetin njerëzor dhe tha se ky akt rrezikon të vërë në lojë politikën ndërkombëtare të ndalimit të armëve kimike.