Gara në Gjermani, rivali i Merkel fushatë me politika sociale

Në të gjitha sondazhet parazgjedhore kandidati socialdemokrat për kancelar, Peer Steinbrück, është pas kancelares Merkel. Por ai paraqiti në Berlin një program 100 pikash, me të cilin mendon se do t'i fitojë zgjedhjet.Deri në 40 % e zgjedhësve ende janë të pavendosur, por ai mendon se mund të fitojë besimin dhe votat e tyre. Për këtë politikani socialdemokrat dhe partia e tij SPD kanë edhe 24 ditë kohë. Steinbrückut ka paralajmëruar se nëse i fiton zgjedhjet 22 shtatorit "menjëherë do të nisë ndryshimet politike" dhe do të fillojë zbatimin e programit të tij zgjedhor.Pika më rendësishme e programit të tij sipas ekspertëve është tregu i punës dhe politika sociale. Ai garanton të ardhura minimale në orë prej 8,50 euro në gjithë Gjermaninë. Socialdemokrati menjëherë do të inicojë edhe një projektligj për pagesat e barabarta të meshkujve dhe femrave. Aktualisht gratë në Gjermani fitojnë mesatarisht 22 % më pak se burrat.Steinbrück si kancelar do të hiqte paratë për përkujdesje ndaj fëmijëve në shtëpi. Ky ka qenë një vendim i gabuar, sepse i lidh femrat për shtëpinë dhe e ngushton mundësinë që ato të dalin në tregun e punës. Më mirë është që këto para të investohen në çerdhe dhe kopshte.Si kancelar Steinbrück do të fuste dyshtetësinë pa kurrfarë kufizimesh. Kandidati i socialdemokratëve thotë se janë krejtësisht të tejkaluara normat ligjore sipas së cilave fëmijët e lindur në Gjermani nga prindër me origjinë të huaj tani duhet të vendosin, nëse duan apo jo të marrin nënshtetësinë e Gjermanisë, apo do të mbajnë nënshtetësinë e vendlindjes së prindërve. Ata duhet të kenë të drejtën të mbajnë të dy nënshtetësitë. Në këtë mënyrë Steinbrück shumë hapur pretendon të fitojë edhe votat e zgjedhësve me origjinë të huaj.