Britania kundër “luftës” me Sirinë, parlamenti nuk mbështet mocionin e kryeministrit

Nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të ndërmarrin operacione ushtarake kundër Sirisë, në kundërpërgjigje të sulmit me armë kimike, do të duhet ta marrin një veprim të tillë pa mbështetjen e aleatit të tyre më të fortë, Britanisë.Me një vendim të papritur dhe goditje ndaj kryeministrit britanik David Cameron, Dhoma e Ulët e Parlamentit hodhi poshtë mocionin për të mbështetur masa ushtarake kundër Sirisë. Vota nuk ka fuqi ligjore, por zoti Cameron tha se do ta respektojë rezultatin e saj.Ai foli dje për nevojën e masave ushtarake, duke u thënë kundërshtarëve se nuk bëhet fjalë për mbështetjen e një pale të caktuar në Siri, apo për rrëzimin e qeverisë, por për një përgjigje ndaj një krimi lufte.Ndërkaq në Francë, Presidenti Francois Hollande ka thënë se vendi i tij është gati të ndëshkojë personat përgjegjës për sulmin, por nuk është shprehur nëse Franca është e gatshme të bashkohet me Shtetet e Bashkuara.