Ekonomia britanike në rritje
Ekonomia në vendet e fuqishme, anëtarë të Bashkimit Europian vazhdon të rritet. Të Premten dhoma e tregëtisë britanike bëri me dije se ekonomia në vend për vitin 2013 është rritur ndjeshëm, duke parashikuar që ajo të jetë 0,4% më e lartë se pritshmëritë e mëparshme, në 1,3%.Ndërsa lobi i biznesit britanik pret që rimëkëmbja ekonomike të jetë edhe më e fuqishme në dy vitet e ardhshme, kur parashikon një rritje prej 2,2% dhe 2,5%.Gjithashtu parashikohet një rënie në normën e papunësisë në Britaninë e Madhe, nga 7.8 % që është aktualisht në 7.5 për qind në vjeshtë të vitit 2014, dhe në shtatë përqind deri në fund të vitit 2015.Megjithatë, ekonomia e tretë më e madhe europiane pas Gjermanisë dhe Francës, vazhdon të jetë e kërcënuar nga faktorët e jashtëm, sidomos nga kërcënimi i krizës së Eurozonës, ngadalësimi ekonomik i Kinës dhe konflikti në Lindjen e Mesme."Nuk jemi ende në gjendje që të kemi një optimizëm të tepruar", deklaroi një ekspert ekonomik për BBC duke theksuar se vitet e fundit ka pasur disa herë sinjale të rreme dhe pavarësisht se baza e rritjes këtë herë duket më e fuqishme. Sipas analizës, britanikët nuk duhet të shpejtojnë të shprehen të kënaqur, pasi kjo mund të shkaktonte surpriza të pakëndshme.Nga ana tjetër, niveli i papunësisë në gjithë Eurozonën, mbetet në nivele rekorde në 12.1%. Sipas një raporti të ri, numri i të papunëve u ul me 50 mijë gjatë Qershorit dhe Korrikut, por ka ende më shumë se 19 milionë njerëz të papunë në Eurozonë.Banka Qëndrore Evropiane, tha se pret që rritja modeste të vazhdojë për pjesën tjetër të vitit.