Klithja e modernitetit

Moderniteti është si një vigan i mbërthyer me vargonj të hekurt e që dëshiron të çlirohet. Më vjen ndër mend shëmbëlltyra e Samsonit të verbër në Bibël, i cili përdori fuqinë e tij të madhe për të shembur pallatin ku po bëhej një spektakël dhe ku atë po e përdornin si kloun. Moderniteti ka trajtat e tij të bukura, linja nganjëherë të përsosura, ka arritur kulme për njeriun, të parritura kurrë më parë, por modernitetit i mungon drita e syve, ai orientim i nevojshëm që i jep kuptim jetës së njeriut. Dikush thotë se njerëzimi po përjeton një agim, po nis një epokë e re që ka nevojë për kohën e vet që të duket. Mund ta them edhe vetë këtë gjë e ka shumë gjasa të jetë kështu, por ende ky agim nuk duket në horizont. Dy shekujt e fundit kanë sjellë një pështjellim në jetën e njeriut, një kaos të vërtetë e ky i fundit është i pranishëm në jetën e shoqërisë dhe të individit. Askush nuk mund të mohojë arritjet e mëdha në jetën teknike, në shkencat që kanë përmirësuar kurimin e sëmundjeve, në ekonomitë botërore që kanë sjellë pasurim për shumë vende të Perëndimit, por askush nuk mund të mohojë se dy luftërat botërore me pasoja tragjike për kontinentin tonë të vogël “u luajtën” pikërisht në këtë kohë. Askush nuk mund të mohojë se sot pyetje të tilla si: Pse jeta? Pse vdekja? Pse dashuria? Pse miqësia? etj., përvoja dikur të mirëqena në jetën e shoqërisë sot, kanë hyrë në krizë të thellë. E sot në të gjitha anët flitet për “krizë” e kjo krizë ka si shfaqjen e saj më të qartë kaosin në të cilin gjendet njeriu modern. Ai nuk di nga të shkojë, rruga e tij nuk është e qartë, i mungon drita, orienti (andej prej nga lind dielli). E di se shumëkush pret të them që kjo ditë është Zoti, e sigurisht është Ai i cili ndriçon horizontin e jetës njerëzore e të shoqërisë. Në kohën që kaluam, provuam se si kjo dritë që vjen nga lart, u mëtua të lëshohej nga poshtë, nga një shtet (ai komunist apo nazist), i cili hoqi Zotin për t’i zënë vendin. Regjimet komuniste dhe naziste në kahje të kundërt bënë të njëjtën gjë dhe të dy përfunduan keqas, pavarësisht se i pari tërhiqet ende zvarrë në ndonjë atavizëm shtetist si në Shqipëri, ku ende mbron pallate kulturash.Zoti i shmangur, i mënjanuar nga jeta njerëzore në një mijë forma, ndër të cilat është edhe reduktimi i tij vetëm në sferën e jetës private, hyn si nevojë në mijëra forma në jetën njerëzore. E kush mund t’i mohojë procesionet milionëshe të njerëzve në shenjtërore të besimeve të ndryshme nëpër botë. Shumëkush e di se ka edhe një eksod religjioz në vendet e Lindjes së Largët, në përvojat religjioze të budizimit, konfucianizmit etj. Sa shumë është rritur supersticioni edhe ndër njerëz të shkolluar. Të gjitha këto përvoja, edhe pse jo gjithmonë autentike, janë shprehje e një nevoje të njeriut të papërmbushur nga një mendësi teknike e jetës moderne. Por me këtë modernitet duhet të bëjnë llogaritë edhe fetë “zyrtare” e jozyrtare. Sa largime nga krishterimi katolik, ortodoks e protestant në Europë? Katedrale të stërmëdha bosh, zbrazje seminaresh që përgatisin priftërinjtë, zbrazje kuvendesh e manastiresh. Çfarë problemesh të mëdha po has bota islamike në përballje me modernitetin në vendet e Lindjes dhe në familjet që prekin brigjet e Europës? I japim fajin këtij apo atij shteti, kësaj apo asaj politike, por harrojmë se, kur religjioni dhe struktura i zënë vendin Zotit dhe nuk e konceptojnë veten vetëm si instrumente, atëherë ndjenja religjioze herët a vonë rebelohet e kërkon tjetër…A ka një rrugë për të përshkuar? Unë mendoj se dritaret e mbyllura të vetëmjaftueshmërisë duhet të hapen me guxim, për t’i lënë vendin dritës dhe freskisë që vjen nga jashtë. Nuk duhet ta mbajmë të mbyllur këtë Samson, sepse atëherë do të na zërë poshtë të gjithëve e do të jetë një gërmadhë e madhe. Rruga është ajo e një dëgjimi e dialogu të ndërsjelltë me shumë përvujtshmëri për të mirën e njeriut. Moderniteti nuk është i gjithi për t’u hedhur tej, përkundrazi ai është si një fëmijë që duhet të kujdesemi për të e të mos e hedhim bashkë me ujin e ndotur. Ky modernitet ka nevojë për Zotin, për dritën, të cilin nuk mund ta mohojë, pasi mohimi i tij ka sjellë pasojat e veta, të cilat i kemi prekur të gjithë në një mënyrë apo në një tjetër. Nëse nuk i hapemi dritës, nëse nuk e kërkojmë dritën, errësira e thellë do të çorientojë edhe më shumë rrugëtimin tonë, duke e bërë atë edhe më kaotik. Ja pse më bien ndër mend fjalët e fundit të Gëtes. Thonë se në fund të jetës së tij, sipas nxënësit të tij, Johann Peter Eckermann, duke parë nga dritarja, ai ka thënë: “Hapeni edhe krahun tjetër të dritares, që të hyjë pak më shumë dritë”. Ai, shkrimtari që shkroi “Vuajtjet e djaloshit Verter ”, libër i cili shkaktoi shumë vetëvrasje në Europë, në fund të jetës së tij kërkon hapjen e pjesës tjetër të dritares… Edhe unë shpresoj ashtu, që edhe shoqëria dhe njeriu ynë modern të bëjë të njëjtën gjë: të dëgjojë klithjen e modernitetit që kërkon dritë, d.m.th. të hapë atë pjesë tjetër të dritares që bën të hyjë drita e plotë.Burimi : mapo.al