Aksidentimi i fëmijës rom,Totozani-qeverisë: Ju paralajmëruam, merrni masa për strehimin

Avokati i Popullit shpreh keqardhjen lidhur me aksidentin e sotëm, ku mbeti i plagosur rëndë një fënmijë 2-vjeçar i komunitet rom nga familjet e dëbuara nga banesat e tyre ne rrugën e Kavajës. Përmes një deklarate për mediat, AP shprehet se kjo që ndodhi ishte një ngjarje e paralajmëruar, duke parë terrenin ku jetojnë tashmë familjet e dëbuara rome, buzë një prej akseve më të rënduara me trafik në kryeqytet.“Me trishtim dhe indinjatë Avokati i Popullit ka mësuar nga mediat se një fëmijë 2 vjeç i komunitetit rom, nga familjet që pas dëbimit jetojnë në qiell të hapur , është aksidentuar nga një automjet. Kjo që ndodhi ishte një ngjarje e paralajmëruar, duke parë terrenin ku jetojnë tashmë familjet e dëbuara rome, buzë një prej akseve më të rënduara me trafik në kryeqytet. Pavarësisht rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe organizatave të shoqërisë civile, thirrjeve dhe daljeve publike, këto familje prej shumë ditësh vazhdojnë të jëtojnë në qiell të hapur, pa asnjë kujdes, apo ndihmë nga autoritetet shtetërore kompetente qendrore dhe lokale, duke rrezikuar çdo moment jetën e gjithesecilit, në veçanti të 88 fëmijëve nga mosha 0 deri në 18 vjeç, të këtyre familejve” thuhet në deklaratë.Duke marrë shkak nga kjo ngjarje, Avokati i Popullit, ju bën thirrje autoriteteve përkatëse të marrin masa urgjente për të gjetur një zgjidhje definitive për këto familje rome, me qëllim që të mos përsëriten më, ngjarje të tilla që cënojnë jetën e fëmijëve dhe gjithashtu trondisin opinionin publik.Ndërkohë, ekspertë të institucionit të Avokatit të Popullit ndodhen në Spitalin Ushtarak, për t’u interesuar rreth shendëtit të fëmijës 2 vjeçar, i cili u aksidentua mengjesin e ditës së sotme.Avokati i Popullit rikujton të gjitha institucionet të shqyrtojnë rekomandimet që ka nisur institucioni për këtë çështje, pasi ende këto rekomandime janë pa përgjigje.Paraditen e sotme një fëmijë rom është plagosur rëndë tek ‘Pallati me Shigjeta’, në kryeqytet pasi është perplasur nga një automjet me targa AA270AK teksa fëmija po kalonte rrugën.