Salustro kërkon të rihapet rasti “Kleçka”
Pas shpalljes së aktvendimit të Gjykatës së Qarkut se dhjetë të akuzuarit në rastin “Kleçka” lirohen nga të gjitha akuzat në mungesë të provave, përfshirë këtu edhe ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, katër prej tyre nesër do të paraqiten para trupit gjykues në Gjykatën Supreme ku do të shqyrtohet ankesa e prokurorit të Eulex-it, Maurizio Salustro kundër këtij aktvendimi.Pavarësisht faktit se pas ndarjes së lëndës gjyqësore për Arben Krasniqin, Behlul Limajn, Refki Mazrekun, Sabit Shalën, Shaban Shalën dhe Besim Shurdhajn, procesi gjyqësor ka përfunduar më herët se ai ndaj Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës dhe Naser Krasniqit, këta të fundit janë ftuar për një kohë shumë të shkurtër me ankesën e prokurorit, gjë e cila nga njohësit e çështjeve ligjorë është konsideruar si e pazakontë.Avokati mbrojtës i deputetit Fatmir Limaj, edhe pse tashmë ka pranuar ftesën e gjykatës për të marrë pjesë në seancën e shqyrtimit të ankesës, nuk mban mend nëse ndonjë herë gjyqësori ka reaguar aq shpejtë sikur në këtë rast. Duke qenë mbrojtës i deputetit Limaj në proceset gjyqësore të tij, avokati Rrecaj, pa dashur ta politizoj çështjen, nuk përjashton mundësinë që mund të ketë ndikime politike. Megjithatë, ai mendon se ankesa e prokurorit do të hidhet poshtë.“Ankesa e prokurorit është krejtësisht e pabazuar, krejtësisht është në kundërshtim me lëndën faktike dhe në kundërshtim edhe me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, ka thënë Rrecaj.Ndërsa avokatja e Arben Krasniqit, i përfshirë në rastin “Kleçka” Fehmije Gashi, thotë se Eulex-i vazhdimisht po përdorë praktika të cilat nuk janë të pranueshme për gjyqësorin kosovar, duke thënë se në rastin Limaj po lë hapësirë të kuptohet se mund të ketë ndërhyrje politike.“Edhe pse është bërë ankesa d.m.th. edhe kundër aktgjykimit të 6 të parëve edhe të pjesës tjetër, megjithatë është befasuese pse, meqenëse këta janë liruar më vonë z. Limaj dhe tre të tjerët dhe kjo tash po bëhet më e errët përpara klientëve të tij. Për mu është një praktikë që nuk e kemi has deri më tash”, ka thënë Gashi.