Shtatorja e Adem Jasharit nxit debate dhe reagime në Maqedoni
Shtatorja e ngritur e Adem Jasharit në fshatin Radushë të Sarajit të Shkupit ka nxitur debate në mediat maqedonase, por edhe tek analistë shqiptarë.Mediat maqedonase kanë raportuar sot se si shtatorja e Adem Jasharit paraqet një provokim, pasi që ajo është vendosur në një tank të Armatës së Maqedonisë, të mbetur nga konflikti i vitit 2001.Sipas mediave maqedonase, vendosja e këtij busti është një provokim, pasi që në ceremoninë e vendosjes së tij kanë marrë pjesë personalitete të larta qeveritare të udhëhequr nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.Ndërkohë, vendosja e kësaj përmendoreje ka nxitur edhe debate nga analistët shqiptarë, të cilët kanë shprehur reagimet e tyre lidhur me ngritjen e kësaj shtatore në fshatin Radushë dhe jo në Shkup, si dhe rreth formatit të kësaj shtatoreje.“Marre dhe marrëzi: përmendorja qesharake e Adem Jasharit në Radushë të Maqedonisë! Një kombinim mes realsocializmit, desperadove mendjelehtë meksikanë, Charlie Chaplinit dhe Boshko Buhës! Po vazhdojnë të tallen disa shqiptarë të çmendur me këtë njeri, i cili po të ishte gjallë do të shkrihej së qeshuri edhe me emrin e Aeroportit të Prishtinës. Nuk po e nderojnë Adem Jasharin, por po e poshtërojnë, ‘shokët’ e tij të luftës!”, ka shkruar analisti dhe gazetari Enver Robelli në profilin e tij në facebook, duke hapur një tribunë se kush është për heqjen e kësaj shtatoreje nga ky fshat, pasi që ajo fyese dhe flet për katrahurën kulturore në të cilën janë fundosur shqiptarët!", ka shkruar analisti dhe publicisti Enver Robelli.Artan Dika nga partia Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) theksoi se përmendorja e Adem Jasharit meriton të ngritet në Shkup dhe jo në fshatra.“Unë besoj se, pos pamjes, problemi kryesor këtu është vendi se ku është ngritur kjo përmendore! Është shumë e ulët që në pafuqi për të vendosur monumente shqiptarësh në mjedise urbane, për shkak se me ligjin që vet BDI e ka miratuar, për këtë duhet edhe pëlqimi i përfaqësuesve maqedon, përmendorja e Adem Jasharit ngrihet në një fshat, ku jo që asnjë turist nuk shkon, po edhe shumë pak shqiptarëve ju bie rruga andej të kalojnë për ta parë.Në Maqedoni logjika e Gruevskit, e përqafuar nga Ali Ahmeti, është se qytetet ju takojnë maqedonëve, ndërsa shqiptarët le të rrijnë të hedhin valle fshatrave ... mundësisht të degdisura në zona malore si Adem Jashari në Radushë!!!”, ka shkruar Artan Dika.Një nga zyrtarët e BDI-së, Artan Grubi ka shfaqur impresionet e tij lidhur me vendosjen e shtatores, duke theksuar se ajo është pjesë e festës së 100 vjetorit.“Përuruam shtatoren e komandantit legjendar të UÇKsë, Adem Jashari, në Radushën heroike. Sakrificë të tillë për hir të kombit nuk njeh historia botërore.Në Greshnicë të Kërcovës vendosëm flamurin më të lartë në të gjitha trojet shqiptare, që të shihet që nga Molla e Kuqe gjer në Prevezë si porosi që ne jemi këtu dhe këtu do të mbetemi dhe që Kërcovën do ta fitojnë shqiptarët në vitin 2013.Sollëm me mijëra flamuj kombëtar, të gjitha shollat po përgadisin programe bashkë me fëmijët, të gjitha komunat shqiptare kanë përpiluar programe këto ditë, muzeu i Kongresit të Manastirit po merr dritë, etj, etj”, ka shkruar Artan Grubi.Skender Karaçica, publicist dhe drejtues nga Shoqata Shqiptaro – Amerikane në Çikago ka theksuar se një përmendore të tillë nuk e ka merituar Adem Jashari në Radushë, me përmasat e tilla, por ajo sipas tij duhet larguar dhe Këshilli organizativ të ideojë një përmendore tjetër nga duart e skulptorëve të mirënjohur shqiptarë.Vendosja e kësaj shtatoreje është pjesë e manifestimeve nga shqiptarët në Maqedoni me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.