Zgjedhjet, serbët e veriut tërheqin dokumentacionin me simbole të shtetit

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim në KQZ ka konfirmuar se shumë subjekte politike, iniciativa qytetare dhe kandidatë të pavarur kanë tërhequr dokumentacion për të aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e 3 nëntorit.Edhe serbët nga komunat e veriut të Kosovës kanë tërhequr dokumentacionin e nevojshëm për ta plotësuar për aplikim për pjesëmarrje në zgjedhje.Por, Miradije Mavriqi, udhëheqëse e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim në KQZ, ka treguar të enjten për Tribunën se numri i atyre që i kanë sjellë të plotësuara dokumentet për certifikim është ende shumë i vogël, ndërsa nga veriu nuk ka asnjë.“Jo, deri tani nuk ka aplikuar asnjë kandidat i pavarur, asnjë iniciativë qytetare dhe asnjë subjekt politik nga veriu. Dokumentacionin për certifikim e kanë marrë shumë edhe nga veriu i vendit. Nuk mund ta themi shifrën e saktë pasi që dokumentacioni për regjistrim dhe certifikim merret edhe në versionin online që e kemi në uebfaqe”, ka thënë Mavriqi.