Kosovë, dita botërore e të zhdukurve, pllakë përkujtimore për 1726 persona

Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur, Kosovën e gjen me 1.726 persona të zhdukur. Në këtë ditë për nder të të zhdukurve, në një ceremoni solemne të mbajtur nën patronatin e kryeministrit u bë zbulimi i pllakës përkujtimore në të cilën figurojnë emrat dhe fotografitë e të gjithë të pagjeturve.Me këtë rast nga të pranishmit u vlerësua se kjo pllakë përkujtimore duhet të troket në ndërgjegjen e mbarë shoqërisë, në mënyrë që të angazhohen të gjithë mekanizmat relevantë për të bërë më shumë në ndriçimin e fatit të të pagjeturve, që tashmë e 15 vjet nuk dihet gjë për fatin e tyre.Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se 30 gushti, Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve, është ditë që troket në ndërgjegjen e të gjithë njerëzve dhe se nuk duhet të shërbejë vetëm për t’i përkujtuar të zhdukurit, por për t’u angazhuar në tërësi si shoqëri që njerëzimit mos t’i ndodhin gjëra të tilla.Krasniqi ka pohuar se fatkeqësia më e madhe pas zhdukjes së këtyre personave është fakti që ata që shkaktuan gjenocid, nuk po ndëshkohen, duke kërkuar që Serbia të shpallet fajtore për gjithë atë që ka bërë mbi popullin shqiptar, por edhe mbi popujt tjerë në Ballkan.Kurse, në emër të Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ka thënë se pllaka e zbuluar është në shenjë respekti për të zhdukurit, ndërsa shtoi që Institucionet e Kosovës mbesin të përkushtuara që sa më parë të zgjidhet ky problem. Ajo theksoi se adresa për zgjidhjen e të pagjeturve është Serbia.Në emër të familjarëve të personave të zhdukur, foli Haki Kosumi, i cili tha se do të vazhdojnë pa ndërprerë t’i kërkojnë më të dashurit e tyre, pasi që mungesa e tyre po u shkakton vuajtje. Familjarët në Ditën Ndërkombëtare të të Pagjeturve, kanë shtruar disa pyetje, për të cilat kërkojnë përgjigje të menjëhershme.“Si po ndodh kjo e keqe njerëzore kaq e rënd, ende në këtë botë kaq të zhvilluar dhe kaq të përparuar? Pse po ndodh kjo ngecje e tillë në vetëdijen dhe ndërgjegjen e shoqërisë njerëzore? Familjarët e goditur kërkojnë vazhdimisht përgjigje në këto pyetje, por edhe shtrojnë pyetjen e madhe. Ku janë familjarët tanë? Ne jemi ndalur dhe mendojmë dhe shtrojmë gjithashtu kërkesën e vazhduar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë përgjigjen për njerëzit tanë mungesën e të cilëve e ndiem shumë”, ka pohuar ai.Në këtë pllakë përkujtimore në vazhdimësi do të prezantohen emrat dhe fotografitë e personave të zhdukur. Ndërsa për familjarët kjo pllakë është e mirëseardhur, porse thonë se kjo nuk ua zbutë dhimbjet dhe vuajtjet që u janë shkaktuar nga mungesa e më të dashurve të tyre. Me këtë rast u hap edhe një ekspozitë me fotografitë e të pagjeturve.Në këtë ceremoni, morën pjesë përfaqësues të Institucioneve të Kosovës, përfaqësues të institucioneve fetare, familjarë të personave të zhdukur. Ndërsa në mënyrë të organizuar, nga Mitrovica kanë ardhur punëtorë të minierës së “Trepçës”, së bashku me familjarët e të pagjeturve.