Raporti për Kosovën në OKB, Thaçi dhe Daçiç anullojnë pjesmarrjen

Edhe pse ishte njoftuar më parë, në takim megjithatë nuk do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.Sipas burimeve në New York, ishte kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ai që anuloi ardhjen dhe kjo mund të jetë edhe arsyeja që kryeministri kosovar vendosi të mos shkonte në një takim në të cilin nuk do të jetë homologu i tij.Në takimin në New York, Kosovën do ta përfaqësojë ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ndërsa do të jetë kjo mbledhja e fundit e udhëhequr nga Argjentina, e cila ishte kryesuese e radhës për këtë muaj, duke ia dorëzuara udhëheqjen në shtator SHBA.Raporti më i ri i sekretarit Ban Ki-moon përfshin periudhën e zhvillimeve prej 23 prillit deri më 15 korrik, ku ai vlerëson hapat pozitivë të Prishtinës dhe Beogradit që, siç thotë “çuan në marrëveshjet historike dhe në një progres themeltar drejt normalizimit të marrëdhënieve”.Ai megjithatë nënvizon se “zbatimi i marrëveshjeve në veri të Kosovës do të jetë një sfidë kryesore dhe në këtë drejtim angazhimi i Beogradit me serbët e Kosovës mbetet i rëndësishëm”, ndërkaq edhe “shtrirja e dorës nga ana e Prishtinës duke i ofruar siguri popullsisë lokale është poaq e rëndësishme”.Ndër çështjet që duhet të kenë prioritet për t’u zgjidhur, Sekretari i Përgjithshëm përmend “rastet e pazgjidhura të personave të zhdukur dhe sjellja para drejtësisë e të gjithë atyre që janë përgjegjës për krime të luftës”.“Ka ende edhe 1,726 persona që evidencohen si të zhdukur nga konflikti i Kosovës,” thuhet në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, i cili këtë plagë të rëndë të luftës sikur e paralajmëron si një çështje që do zgjidhje dhe që duhet të jetë pjesë e pashmangshme në bisedimet e mëtejme.