Kush fshihet pas kullës 14 kate në Gjirin e Lalzit? Si po pastrohen paratë e kok*inës nga Londra te restoranti ''Van Gogh'' në Tiranë
Më 18 prill 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi me Vendimin Nr. 34 lejen e ndërtimit për një kompleks hotelier-rezidencial në Gjirin e Lalzit. Projekti parashikon 1, 3, 13 dhe 14 kate mbi tokë, me lartësi maksimale +47.52 metra. Parcela ka sipërfaqe 7333 metra katrorë dhe ndodhet në Njësinë Administrative Ishëm të Bashkisë Durrës, përgjatë Rrugës Fushë-Bize.
Sipërfaqja totale e ndërtimit mbi tokë arrin 10301.3 metra katrorë. Projektimi i përket studios spanjolle "Estudi Toni Girones SL" në bashkëpunim me "UDV Architects".
Një kullë e lartë plot 14 kate do të jetë ndërtesa më e lartë në zonën e Gjirit të Lalzit, ku deri më tani qeveria ka dhënë vetëm leje për komplekse dhe fshatra turistikë, deri në 4 kate, ndërsa me këtë kurs, e gjithë zona pritet të shndërrohet në një Golem të dytë

Subjekti zhvillues është shoqëria "BPI - Blessed Property Invest" sh.p.k., me kapital vetëm 100 mijë lekë, rreth 875 euro. Pronar i vetëm me 100 për qind të kuotave është Erald Mata, i lindur më 24 janar 1990 në Peshkopi, i biri i një mjeke të njohur. Administrator i shoqërisë është Agim Isaku, i lindur më 6 gusht 1985 në Lejçan të Dibrës.

Shoqëria u regjistrua më 19 shkurt 2025, vetëm dy muaj para se KKTU të miratonte lejen e ndërtimit. Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka konfirmuar se parcela ka karakter bujqësor dhe se në truall nuk ekziston asnjë strukturë aktuale. Pra, bëhet fjalë për konvertimin e tokës bujqësore në një projekt resort me kullë në vijën e dytë bregdetare të zonës më të shtrenjtë të bregdetit shqiptar.
Sipas çmimeve të reja të referencës të miratuara nga qeveria në janar 2026, vija e parë e ndërtimit në Gjirin e Lalzit dhe Hamallaj kryeson të gjithë bregdetin shqiptar me 190 mijë lekë për metër katror, mbi Dhërmiun, Ksamilin dhe Velipojën. Fshati Bizë përfshihet shprehimisht në këtë zonë të çmimeve të larta.
Rrjeti i pastrimit të parave nga Londra në Gjirin e Lalzit
Burime pranë SHISH dhe shërbimeve partnere konfirmojnë se pas këtij projekti qëndron një rrjet i mirëorganizuar pastrimi parash. Paratë e kokainës nga Londra po pastrohen në Tiranë, përfshirë edhe te restoranti i famshëm Van Gogh, brenda kompleksit Square 21.
Agim Isaku dhe i vëllai, Safet Isaku, së bashku me Erald Matën, kanë ndërtuar një kartel kompanish nga Tirana në Londër. Lidhjet e tyre dokumentohen që nga viti 2018. Më 23 prill 2018, të tre themeluan në Durrës shoqërinë "IBIZA 2018" sh.p.k., një bar-restorant në Gjirin e Lalzit, ku secili mbante 33.33 për qind të kuotave. Tre muaj më vonë, më 24 korrik 2018, aktiviteti u pezullua dhe statusi i kompanisë mbetet i pezulluar.
Në Mbretërinë e Bashkuar, vëllezërit Isaku kanë drejtuar të paktën tetë kompani mes viteve 2018 dhe 2025 ne bashkepunim me disa shtetas nga maqedonia. Katër prej tyre janë shpërbërë me forcë nga regjistri britanik: SOFITEL HOLDINGS LTD dhe SOFITEL INVESTMENTS LTD, të dyja më 7 shtator 2021; BRASERIA LTD më 15 shkurt 2022; NOAH'S HOLDINGS LTD më 6 gusht 2024. Një kompani e pestë, QUEENSWAY BREAKFAST CLUB LTD, ku Safet Isaku është drejtor aktiv dhe pronar përfitues me mbi 75 për qind, ka hyrë në likuidim të detyruar më 17 maj 2023. Procedura mbetet aktive.
Adresa qendrore e këtyre kompanive është Flat 1, 40 Queensway, London W2 3RS. E njëjta adresë figuron edhe si banesë personale e Agim Isakut. Tri kompani të tjera restorantesh ku Safet Isaku figuron drejtor, OLD SPICE RESTAURANT LTD, MINT LEAF FOOD LTD dhe CAFE 24 LTD, të gjitha të themeluara më 29 tetor 2019, figurojnë sot me propozim për çregjistrim dhe llogari të vonuara.
Emri "Blessed Property Invest" shfaqet në të dy vendet. Në Mbretërinë e Bashkuar, BLESSED PROPERTY INVEST LTD u themelua më 26 tetor 2020 me adresë në Stanwell dhe ka si drejtorë Erald Matën dhe Ibrahim Gashin, me nënshtetësi irlandeze. Agim dhe Safet Isaku nuk figurojnë drejtorë të kësaj kompanie britanike. Ndërsa në Shqipëri, "BPI - Blessed Property Invest" sh.p.k. u regjistrua me pronar të vetëm Erald Matën dhe administrator Agim Isakun.
Këto kompani në Londër shërbejnë si një katalizator për pastrimin e parave të kokainës. Paratë e pista futen në qarkullim përmes një sërë biznesesh të regjistruara me drejtues të njëjtët persona, ku fondet lëvizin nga një kompani te tjetra përmes faturave false, kontratave të brendshme dhu kredive të rreme. Shpërbërja me forcë e disa prej tyre nga regjistri britanik tregon se autoritetet i kanë identifikuar si mjete të përdorura për fshehjen e origjinës së kapitalit kriminal, ndërkohë që kompanitë e tjera vazhdojnë të funksionojnë për të krijuar një shtresë të re legjitimiteti. Në fund, paratë e pastruara transferohen në Shqipëri përmes investimeve në prona të shtrenjta bregdetare, si kulla 14 katëshe në Gjirin e Lalzit...
/Marrë me të njëjtin titull nga "Pamfleti"


