Dëgjesë me kryebashkiakët e Vlorës për Reformën Territoriale, kërkesa për kompetencat dhe financat

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi sot një seancë dëgjimore me kryetarët e bashkive të qarkut Vlorë, ku u diskutuan problematikat dhe efektet e reformës territoriale të vitit 2014, si dhe nevoja për përmirësime të mëtejshme.

Bashkëkryetari i Komisionit nga Partia Socialiste, Arbjan Mazniku, u shpreh se këto seanca kanë në fokus funksionimin e pushtetit vendor dhe sfidat që lidhen me kompetencat, financat dhe organizimin territorial.

“Këto seanca kanë në fokus kompetencat e bashkive, çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo lidhur me kompetencat dhe funksionet, mundësinë për t’i zbatuar ato, aspektin financiar dhe kuadrin rregullator apo burimet njerëzore”, deklaroi Mazniku.

Sipas tij, një tjetër element i rëndësishëm i diskutimeve lidhet me financimin e pushtetit vendor dhe mekanizmat mbështetës për bashkitë.

“Fokusi është edhe tek financat, mekanizmat financiarë të bashkive, grantet. Kolona e tretë lidhet me territorin dhe qeverisjen e tij, si dhe ofrimin e shërbimeve eficente për qytetarët”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari i Komisionit nga Partia Demokratike, Luçiano Boçi, kritikoi mungesën në seancë të kryetarëve të bashkive Vlorë dhe Finiq.

“Kryetarët duhet të paraqiten përpara komisionit për të prezantuar situatën në bashkitë e tyre dhe duhet të vijnë patjetër përpara komisionit. Çdo shmangie është e papranueshme”, deklaroi Boçi.

Gjatë seancës dëgjimore, kryetari i bashkisë Himarë, Vangjel Tavo u shpreh se reforma administrativo-territoriale duhet të analizohet mbi bazën e disa indikatorëve kryesorë dhe jo vetëm nga këndvështrimi territorial.

“Kjo reformë administrativo-territoriale duhet të ketë parasysh disa indikatorë dhe më pas qëllimi politik është territori”, tha Tavo.

Sipas tij, elementi kryesor duhet të jetë shërbimi ndaj qytetarëve.

“Indikatorët kryesorë që duhet të ndjekim për të arritur në përfundimin e reformës janë së pari shërbimi ndaj komunitetit. Bashkitë misionin e tyre kanë shërbimin ndaj komunitetit”, deklaroi ai.

Tavo theksoi se funksionimi i pushtetit vendor lidhet ngushtë me kompetencat, financat dhe burimet njerëzore.

“Kjo është e lidhur ngushtë me kompetencat dhe me financat që duhet të ketë pushteti vendor, po ashtu edhe me kapacitetet njerëzore për të bërë detyrën e vet”, u shpreh ai.

Duke folur për reformën e vitit 2014, Tavo tha se ajo ka pasur ndikime pozitive në disa drejtime, edhe pse sipas tij ka ende vend për korrigjime.

“Sa i përket ndikimit të reformës administrative të 2014-ës, ka pasur ndikim pozitiv në shumë drejtime, ashtu siç ka vend për të rregulluar dhe korrigjuar”, deklaroi ai.

Ai shtoi se, megjithëse nuk e kishte mbështetur reformën në kohën kur u miratua, sot do ta votonte.

“Unë nuk e votova në 2014-ën këtë reformë, por sot që jam kryebashkiak do ta votoja”, tha Tavo.

Sipas tij, një nga efektet pozitive të reformës ishte bashkimi i njësive vendore që nuk kishin mundësi të mbijetonin financiarisht.

“Reforma e 2014-ës pati të mirë se bashkoi disa komuna që e kishin të pamundur të mbijetonin financiarisht”, u shpreh Tavo.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit Xhelal Mziu, kryetari i bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, u ndal te menaxhimi i emergjencave civile dhe zjarreve gjatë sezonit veror.

“Mbështetja për zjarrfikëset ka qenë mbresëlënëse. Himara vjet është përballur me një numër zjarresh që na gjeti deri diku të papërgatitur dhe nëse nuk do të ishte qeveria dhe emergjencat civile do të kishim dëme në prona dhe pasuri, por ndoshta edhe jetë njerëzore”, deklaroi Tavo.

Ai theksoi se ndërhyrja e institucioneve qendrore ka shmangur pasoja më të rënda.

“Ishte ndërhyrja e qeverisë që e evitoi këtë. Në Himarë ka ardhur disa herë helikopteri”, u shpreh ai.

Sipas Tavos, gjatë sezonit turistik duhet të shtohen kapacitetet e shërbimit zjarrfikës për shkak të rritjes së popullsisë.

“Tek zjarrfikëset duhet shtuar numri i forcave gjatë sezonit veror, sepse edhe numri i popullsisë shtohet gjatë sezonit veror”, tha ai.

Kryebashkiaku i Himarës u ndal edhe te investimet në arsim, duke përmendur rikonstruksionin e disa shkollave.

“Kemi rikonstruksionet e disa shkollave, shkollën e Himarës dhe të Dhërmiut, janë rikonstruktuar shkollat në Kuç, Vranisht, Lukovë etj.”, deklaroi Tavo.

Sa i përket sistemit arsimor parauniversitar, ai kërkoi më shumë kompetenca për pushtetin vendor.

“Patjetër që duhet të kemi më tepër kompetenca, jo vetëm në mirëmbajtje”, u shpreh ai.

Duke folur për reformën administrativo-territoriale, Tavo tha se kompetencat e pushtetit vendor duhet të jenë në përputhje me Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Vendore.

“Kompetencat e pushtetit vendor duhet të zbatohen sipas Kartës që është ratifikuar nga parlamenti në vitin 1999. E kam votuar, kam qenë deputet”, tha ai.

Sipas Tavos, problematika kryesore nuk lidhet vetëm me territorin, por me financat dhe kompetencat.

“Ngërçi i reformës nuk vjen nga territori, por nga kompetencat dhe financat”, deklaroi ai.

Ai shtoi se bashkitë më të mëdha kanë më shumë mundësi financiare për të mbështetur zonat më të dobëta ekonomikisht.

“Sa më e madhe bashkia, aq më shumë mundësi ka të mbledhë të ardhura dhe të ndihmojë ato territore që nuk e mbajnë dot veten”, u shpreh Tavo.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, deklaroi se Saranda është ndër bashkitë me të ardhura më të larta për frymë në vend.

“Saranda është një nga qytetet me të ardhurat për frymë më të larta në Shqipëri”, tha ai.

Ai theksoi bashkëpunimin mes bashkive për menaxhimin e emergjencave gjatë verës.

“Ne kemi qenë në ndihmë të të gjitha bashkive, Konispolit, Delvinës. Kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer”, deklaroi Çaçi.

Sipas tij, rritja e fluksit turistik gjatë sezonit veror kërkon më shumë financime dhe shërbime.

“Ne 7-fishohemi gjatë verës dhe patjetër që ka nevojë për shërbime më të forta”, u shpreh ai.

Sa i përket menaxhimit të plazheve, Çaçi kërkoi që kjo kompetencë t’u kalojë bashkive.

“Menaxhimi i plazheve t’u kalojë bashkive dhe ka një dakordësi që bashkitë kanë resurset e duhura për t’i menaxhuar vetë plazhet”, tha ai.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Delvinës, Besmir Veli deklaroi se reforma territoriale ka sjellë rritje të buxhetit vendor dhe investimeve.

“Sot Bashkia Delvinë, në krahasim me periudhën para vitit 2014, ka një buxhet dyfish më të madh”, deklaroi ai.

Sipas Velit, funksionimi si bashki e madhe ka përmirësuar shërbimet dhe investimet në infrastrukturë.

“Ka pasur investime në infrastrukturë që, po të ishte komunë, do të duheshin vite për t’u realizuar”, tha ai.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për rishikimin e formulës së financimit të bashkive.

“Patjetër që ka nevojë për rishikim të formulës së financimit të bashkive”, deklaroi Veli.

Duke iu referuar emergjencave civile, ai tha se Delvina ka përfituar mbështetje më të madhe financiare për përballimin e zjarreve.

“Delvina ka qenë e prekur nga zjarret dhe sot kemi 7-fishim të buxhetit për emergjencat civile krahasuar me një vit më parë”, u shpreh ai.

Ndwrsa kryetari i bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj deklaroi gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale se bashkia që ai drejton ka profil kryesisht bujqësor dhe blegtoral, me potencial edhe në turizmin malor.

“Bashkia e Selenicës është një bashki tipike bujqësore, blegtorale, me turizëm malor”, u shpreh Bellaj.

Duke folur për emergjencat civile dhe zjarret, ai theksoi se territori i bashkisë paraqet rrezik të shtuar për shkak të sipërfaqeve pyjore dhe tokave bujqësore.

“Bashkia jonë ka risk për shkak të territorit me pyje, fusha dhe vitet e fundit qeveria ka pasur fokus të veçantë tek emergjencat civile”, deklaroi ai.

Bellaj u ndal edhe te sektori i bujqësisë dhe investimet në sistemet vaditëse.

“Kemi bashki bujqësore dhe kemi të paktën mbi 15 mijë hektarë toka bujqësore dhe mbi 300 kilometra kanale. Tokat bujqësore, pjesa më e madhe sot janë duke u vaditur”, tha ai.

Sa i përket arsimit dhe infrastrukturës shkollore, kryebashkiaku i Selenicës vlerësoi investimet e realizuara gjatë viteve të fundit.

“Këto katër vite në bashkinë e Selenicës ka pasur rikonstruksion total të shkollave të mesme. Nuk ka asnjë shkollë që ka mbetur pa ndërhyrë”, deklaroi Bellaj.

Sipas tij, këto investime janë realizuar falë bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe qeverisë qendrore.

“Kjo është bërë falë mbështetjes së qeverisë në bashkëpunim me bashkinë”, u shpreh Bellaj.

Kryetari i bashkisë Konispol, Ergest Dule deklaroi se fokusi duhet të jetë forcimi i bashkive me më shumë burime financiare dhe kapacitete administrative.

“Jemi këtu që Konispolin dhe bashkitë si ai t’i bëjmë më të fuqishme, me më shumë burime, me më shumë kapacitete”, u shpreh Dule.

Ai theksoi se statusi i Konispolit si bashki nuk duhet të vihet në diskutim, duke nënvizuar rëndësinë historike dhe simbolike të kësaj zone.

Dule kujtoi se Konispoli ka ekzistuar si njësi administrative edhe përpara reformës territoriale të vitit 2015.

“Konispoli nuk është bashki e krijuar që nga viti 2015, por ka qenë aty”, tha ai.

Sipas tij, pas reformës administrativo-territoriale, bashkia ka njohur përmirësime të ndjeshme në infrastrukturë dhe shërbime.

“Pas vitit 2015 punët në Konispol kanë ecur për mirë. Ujë 24 orë, rrugë dhe drita; në Konispol nuk kemi çfarë të ofrojmë më përveçse një aksi rrugor rural”, u shpreh Dule.

Ai u ndal edhe tek investimet në arsim, duke theksuar rikonstruksionin e shkollave dhe mbështetjen për nxënësit.

“Në arsim, tre shkollat janë të rikonstruktuara me terrene sportive dhe nxënësit transportohen falas”, deklaroi kryebashkiaku i Konispolit.