Ecuri pozitive e ekonomisë shqiptare/ FMN: Rritje e qëndrueshme, pavarësisht sfidave gjeopolitike

FMN vlerësoi se ekonomia shqiptare vijon të mbetet e qëndrueshme, me rritje ekonomike, treg pune më të fortë dhe kushte të favorshme financiare. Misioni konfirmoi se forcimi i lekut lidhet me përmirësimet strukturore të ekonomisë cka sjell përfitime për ekonominë shqiptare

Ekonomia shqiptare vijon të tregojë qëndrueshmëri dhe perspektiva pozitive zhvillimi, e mbështetur nga rritja e aktivitetit ekonomik, përmirësimi i tregut të punës dhe kushtet e favorshme financiare.

Ky ishte vlerësimi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i kryesuar nga shefi i Misionit për Shqipërinë, Diego Cerdeiro, në një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në përfundim të një misioni në vendin tonë.

Diskutimet, sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, u fokusuan në zhvillimet aktuale makroekonomike, politikën monetare, stabilitetin financiar dhe perspektivat e ekonomisë shqiptare.

Përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan se ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet rezistente ndaj goditjeve të jashtme, ndërsa perspektiva ekonomike paraqitet përgjithësisht e favorshme.

Megjithatë, ata theksuan se pasiguritë që lidhen me zhvillimet ndërkombëtare dhe tensionet gjeopolitike kërkojnë monitorim të vazhdueshëm.

Sa i përket inflacionit, misioni evidentoi ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë dhe rëndësinë e mbikëqyrjes së pritshmërive inflacioniste.

FMN vlerësoi analizat dhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë, duke e konsideruar politikën monetare të ndjekur si të përshtatshme dhe të orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve.

Misioni i FMN-së konfirmoi se forcimi i lekut është një fenomen i përcaktuar nga përmirësimet strukturore në ekonominë reale dhe se një regjim i lirë i kursit të këmbimit është i dobishëm dhe sjell përfitime për ekonominë shqiptare. Aktualisht, një euro këmbehet me rreth 95 lekë.

Nga ana e tij, Guvernatori Sejko rikonfirmoi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ndjekë një politikë monetare të kujdesshme dhe të bazuar në të dhënat më të fundit ekonomike, me synimin për të garantuar kthimin dhe ruajtjen e inflacionit pranë objektivit të saj afatmesëm.

Gjatë takimeve u diskutuan edhe sfidat afatgjata të ekonomisë shqiptare, përfshirë zhvillimet demografike, rritjen e produktivitetit dhe ndikimin e procesit të integrimit evropian në perspektivat ekonomike të vendit.