Pas kërkesës së operatorëve, nis analiza për formulën e çmimeve të karburanteve të caktuara nga Bordi
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se qeveria po zhvillon një analizë ekonomike për të vlerësuar nëse formula aktuale e përcaktimit të çmimeve të karburanteve nga Bordi i Transparencës ka nevojë për ndryshime.
Deklarata vjen pas kërkesës së kompanive importuese të karburanteve, të cilat pretendojnë se metodologjia e përdorur nga Bordi i Transparencës nuk mbulon kostot reale të importit dhe operimit. Operatorët kanë paralajmëruar se mund t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar dëmshpërblim nëse formula nuk rishikohet.
Sipas Ibrahimajt, formula aktuale u hartua me synimin për të mbrojtur interesin publik në një periudhë të vështirë për tregun e hidrokarbureve. Ajo theksoi se marzhet e përcaktuara janë kufizuese dhe janë bazuar në një analizë të kostove të kompanive, duke synuar që aktiviteti i tyre të vazhdojë pa ndërprerje, por pa krijuar fitime shtesë.
Ministrja nënvizoi se qeveria po shqyrton me kujdes kërkesën e sektorit të hidrokarbureve dhe se çdo vendimmarrje do të mbështetet në rezultatet e analizës ekonomike.
Ajo e cilësoi çështjen e çmimeve të karburanteve si shumë të ndjeshme, pasi ndikon drejtpërdrejt si te konsumatorët, ashtu edhe te bizneset.
“Ne kemi marrë kërkesën e hidrokarbureve dhe po bëjmë analizën tonë për një vendimmarrje të mëtejshme, nëse analiza ekonomike na tregon nëse duhet ndryshuar apo jo formula. Është një vendimmarrje që do një analizë të thelluar, çështja e çmimit të karburanteve është një çështje shumë delikate që prek konsumatorë të gjerë, por edhe biznese. Jemi duke treguar kujdes për të bërë një analizë të thelluar, padiskutim do të dalim në një konkluzion”, tha Ibrahimaj.
Bordi i Transparencës për Hidrokarburet u riaktivizua më 26 mars dhe vijon të përcaktojë çmimet sipas formulës së miratuar gjatë krizës energjetike të vitit 2022, kur tregjet ndërkombëtare u përballën me rritje të forta të çmimeve pas nisjes së luftës në Ukrainë.

