Rritja ekonomike që nuk ngroh, Çoçoli: Thellohet pabarazia në Shqipëri, paratë po përqendrohen në pak duar
Pavarësisht vlerësimeve pozitive nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore për ecurinë e ekonomisë shqiptare, realiteti mbetet i zymtë. Rritja mesatare prej 4% e ekonomisë, e cila konsiderohet e qëndrueshme nga ndërkombëtarët, po thellon pabarazinë dhe po pasuron vetëm një grusht njerëzish.
Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli, në një intervistë për “Ora News” shpjegon se hendeku mes të ardhurave në Shqipëri dhe atyre të vendeve të Bashkimit Europian vijon të jetë i madh, duke qenë se vendi është nisur nga një bazë shumë e ulët rreth tre dekada më parë.
Ndonëse prodhimi kombëtar për frymë është dyfishuar—nga 5,000 euro në afërsisht 11,000 euro në fund të vitit të kaluar—kjo rritje përkthehet në një iluzion statistikor për shumicën dërrmuese.
Sipas të dhënave, koeficienti i pabarazisë tregon se rritja dhe vlera e shtuar shkojnë kryesisht te shoqëritë e konsoliduara dhe individët që tashmë kanë kapital. Kjo shpjegon ankesat e vazhdueshme të qytetarëve, të cilët mbeten me përfitime minimale nga ky zhvillim ekonomik i pretenduar.
Situata bëhet edhe më alarmante kur analizohet sektori bankar. Pavarësisht se depozitat e shqiptarëve kanë arritur nivele rekord, pasuria mbetet sërish e përqendruar në pak duar.
Nga qindra mijëra depozitues në bankat e nivelit të dytë, vetëm 4-5% e tyre kanë kursime që kalojnë vlerën e 25 mijë eurove. Pjesa më e madhe e parave është e zotëruar nga një pakicë, duke dëshmuar qartë një ndarje drastike ekonomike.
Përballë kësaj situate, theksohet domosdoshmëria e investimeve në kapitalin njerëzor dhe zgjerimi i industrive me vlerë të lartë të shtuar, siç është sistemi bankar.
Së fundmi, ky sektor pritet të zgjerohet me hyrjen e dy bankave të reja në tregun shqiptar—Turqja "Ziraat" dhe një bankë tërësisht digjitale me kapital izraelit—një lëvizje që shihet si mundësi për të rritur punësimin dhe për të përmirësuar konkurrencën.
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE

