Malaj takim me FMN: Ekonomia shqiptare, rritje të qëndrueshme

Ministri i Financave, Petrit Malaj zhvilloi sot një takim me shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë, Diego Cerdeiro, në kuadër të konsultimeve periodike mbi zhvillimet ekonomike dhe fiskale në vend.

Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare, e cila ka vijuar të shfaqë qëndrueshmëri dhe ritme pozitive rritjeje, pavarësisht sfidave të mjedisit ndërkombëtar, si dhe mbi perspektivën afatmesme.

Ministri Malaj vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë dhe konstruktiv me FMN-në, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së institucionit në hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike dhe fiskale që garantojnë stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.

Nga ana e tij, Cerdeiro vlerësoi progresin e Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe rëndësinë e vijimit të politikave të kujdesshme fiskale dhe reformave që mbështesin rritjen ekonomike të qëndrueshme.

Palët, gjithashtu u diskutua mbi rëndësinë e vazhdimit të reformave strukturore, që synojnë rritjen e produktivitetit, përmirësimin e klimës së biznesit, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.