Manjani: Po përgatiten sistemet që do të lidhin Shqipërinë me rrjetet evropiane të punësimit dhe sigurimeve
Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani deklaroi sot se Shqipëria po vijon punën për përmbushjen e piketës mbyllëse të Kapitullit 2 “Lëvizja e lirë e punëtorëve”, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Çështjet Evropiane dhe Punët e Jashtme, Manjani paraqiti ecurinë e masave të parashikuara në Planin e Punës për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga ky kapitull.
Ajo theksoi se Kapitulli 2 lidhet me garantimin e të drejtës së qytetarëve të Bashkimit Evropian për të lëvizur, punuar dhe qëndruar lirisht në territorin e shteteve anëtare, si dhe me koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore.
Sipas Manjanit, piketa mbyllëse kërkon që Shqipëria të dëshmojë se disponon strukturat institucionale dhe kapacitetet zbatuese të nevojshme për implementimin e plotë të acquis të BE-së në fushën e lëvizjes së lirë të punëtorëve deri në momentin e anëtarësimit.
“Plani i Punës parashikon masa konkrete që lidhen me përafrimin rregullator për aksesin në punësim dhe trajtimin e barabartë, të drejtën e lëvizjes dhe qëndrimit të shtetasve të BE-së dhe familjarëve të tyre, qeverisjen e sistemit EURES, bashkëpunimin me Autoritetin Evropian të Punës, koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore, si dhe përgatitjet institucionale, operacionale dhe teknike për EESSI dhe Kartën Evropiane të Sigurimit Shëndetësor”, u shpreh ajo.
Manjani bëri të ditur se grupi ndërinstitucional i punës ka nisur identifikimin e akteve ligjore dhe nënligjore që mund të përmbajnë kufizime me bazë shtetësinë në aksesin në punësim, ndërsa në bashkëpunim me ekspertët e asistencës teknike po kryhet rishikimi i legjislacionit që mund të preket nga ndryshimet.
Paralelisht, po punohet për ngritjen e kuadrit institucional dhe operacional që do të garantojë zbatimin efektiv të të drejtave të punëtorëve të lëvizshëm, përmes përcaktimit të strukturave kompetente, mekanizmave të koordinimit dhe programeve të trajnimit për administratën.
Në lidhje me të drejtën e lëvizjes dhe qëndrimit të qytetarëve të Bashkimit Evropian, Manjani njoftoi se paketa e ndryshimeve në ligjin “Për të huajt” është në proces diskutimi me Ministrinë e Brendshme, me fokus të veçantë te dispozitat që lidhen drejtpërdrejt me detyrimet e Kapitullit 2.
Ajo informoi gjithashtu se Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare po finalizon paketën rregullatore për përafrimin e ligjit “Për fondet private të pensioneve” me direktivat evropiane që mbrojnë të drejtat suplementare të pensionit të punëtorëve që lëvizin brenda BE-së. Paketa pritet të përfundojë brenda këtij muaji, ndërsa miratimi në Këshillin e Ministrave parashikohet në shtator dhe shqyrtimi në Kuvend në tetor të këtij viti.
Sa i përket Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Punësimit (EURES), Manjani tha se procesi i ngritjes së kuadrit rregullator dhe institucional do të mbështetet nga asistenca teknike e projektit GIZ-SANECA. Po ashtu, po zhvillohet analiza e kuadrit ligjor për bashkëpunimin e Shqipërisë me Autoritetin Evropian të Punës (ELA), me synim përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Në fushën e koordinimit të sistemeve të sigurimeve shoqërore, po kryhet analiza e legjislacionit kombëtar për përafrimin me rregulloret përkatëse të BE-së, ndërsa parashikohet përcaktimi i institucioneve kompetente, organeve ndërlidhëse dhe procedurave të nevojshme për trajtimin e rasteve ndërkufitare.
Manjani nënvizoi se kanë nisur gjithashtu aktivitetet për përgatitjen e Shqipërisë për Sistemin Elektronik të Shkëmbimit të Informacionit të Sigurimeve Shoqërore (EESSI), duke përfshirë nominimin e autoritetit kombëtar, analizën e proceseve dhe identifikimin e nevojave teknike.
Në kuadër të përgatitjeve për Kartën Evropiane të Sigurimit Shëndetësor (EHIC), ajo bëri të ditur se është përgatitur paketa ligjore që lidhet me dokumentet S1 dhe S2 dhe pritet vijimi i konsultimeve me Komisionin Evropian. Paralelisht do të hartohet vlerësimi i ndikimit për futjen e kartës pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke analizuar aspektet institucionale, financiare, teknike dhe operacionale.
Sipas Manjanit, është përfunduar analiza fillestare për konceptin operacional dhe gatishmërinë teknike të sistemit për lëshimin e Kartës Evropiane të Sigurimit Shëndetësor dhe të Certifikatës së Përkohshme Zëvendësuese, ndërsa faza e ardhshme do të fokusohet në përcaktimin e pikave kombëtare të kontaktit, procedurave standarde të funksionimit dhe kërkesave teknike për ndërveprimin me sistemet ekzistuese.
Ajo theksoi se të gjitha këto masa synojnë garantimin e gatishmërisë së plotë të Shqipërisë për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Kapitulli 2 në momentin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

