Nga turizmi “i byrekut” në 300 mijë turistë elitarë, Çoçoli: Jo vetëm 4 mld euro, por ja çfarë fiton ekonomia shqiptare nga projekti në Zvërnec

Një investim prej 4 miliardë eurosh në Zvërnec është kthyer në temën më të nxehtë të ditëve të fundit, duke nxitur debate mbi përfitimet reale që ky mega-projekt sjell për qytetarët.

Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli, në një intervistë për “Ora News”, teksa mori parasysh historikun e vendeve të rajonit si Mali i Zi dhe Serbia, ku investimet e huaja në turizëm kanë transformuar ekonomitë lokale, rasti i Zvërnecit shihet si një mundësi e artë që nuk duhet humbur.

Ekspertët e ekonomisë risjellin në vëmendje gabimet e së shkuarës. Në vitin 2006, Shqipëria refuzoi një projekt miliardësh nga një investitor izraelito-hungarez në Durrës. Si pasojë, projekti u zhvendos në Mal të Zi, duke krijuar perlën e Porto Montenegros, e cila rriti ndjeshëm Prodhimin e Brendshëm Bruto të këtij shteti. Një tjetër rast është ai i gjirit të Kakomesë, ku kundërshtimet lokale zbuam gjigantin "Club Mediterranee", duke e lënë zonën ende sot një tokë të mbuluar vetëm me shkurre.

Përballë këtij investimi 4 miliardë eurosh në Zvërnec, theksi vihet te zhvillimi ekonomik dhe punësimi, pa lënë pas dore mbrojtjen e mjedisit. Nëse zbatohen standardet strikte të Bashkimit Evropian për ruajtjen e ekosistemit unik të Nartës dhe Manastirit, përfitimet parashikohen të jenë marramendëse.

Parashikimet tregojnë se me fillimin e dizbursimeve deri në vitin 2032, do të krijohen rreth 7,000 deri në 8,000 vende të reja pune vetëm në fazën e ndërtimit të resortit, i cili do të shtrihet në 150 hektarë. Krahas kësaj, zinxhiri i furnizimit, përfshirë fermat lokale që do të ushqejnë këtë mega-strukturë, pritet të hapë mbi 8,000 vende të tjera pune të përhershme.

Nga ana turistike, vizioni është i qartë: kalimi nga turizmi i mbijetesës në atë elitar. Ky resort pritet të thithë rreth 300 mijë turistë të huaj të një niveli të lartë financiar. Tashmë mbetet në dorën e autoriteteve dhe shoqërisë për të vendosur nëse kjo pasuri natyrore do të kthehet në një motor ekonomik të pakrahasueshëm në rajon, apo nëse do të lihet sërish në mëshirë të shkurreve.

ANALIZA E FATOS ÇOÇOLIT PËR ZVËRNECIN

Fatos Çoçoli: Fitojmë shumë. Pse fitojmë shumë? Në radhë të parë po e nisim direkt nga ajo që është tema e ditës sot sepse është shumë e debatueshme, ju keni të drejtë, investimi 4 miliardë euro në Zvërnec. Po të shikojmë historikun e investimeve strategjike të rajonit tonë, sepse ne krahasohemi me vendet që kanë fuqi blerëse pak a shumë të afërt me ne, siç është Mali i Zi apo Bosnja-Hercegovina, apo dhe Serbia pak më në sipër, apo Maqedonia e Veriut. Në këto 15 vitet e fundit, më fal 17, që nga 2009-a, investimet kryesore në këtë zonë të Ballkanit, pra Ballkani Jugperëndimor, më të larta, të huaja kanë qenë në fushën e turizmit dhe të tregtisë. Mund t'ju përmend dy, në mënyrë që të mos e rëndojmë shumë me shifra atë që na ndjek. Në 2009-n ka qenë... shumë shqiptarë kanë shkuar dhe e kanë parë Porto Montenegron, sepse është shumë afër nesh, madje dhe shkojnë për fundjava, një pjesë jo vetëm shkodranët por edhe nga Tirana apo edhe nga pjesë të tjera të vendit. Porto Montenegro është një perël, por është e ndërtuar, në 2007-n filloi deri në 2009-n për tre vite, nga një miliarder me origjinë hungareze-izraelite që erdhi në 2006-n, erdhi në Durrës, donte ta ndërtonte në Durrës. Për fat të keq qeveria e asaj kohe nuk u tregua shumë e interesuar dhe e mori kryeministri i asaj kohe, Gjukanoviç, i mbajti të ziesh, e priti këtë miliarderin me një helikopter, e kapi menjëherë, i dha shokun që i erdhi te dera. Edhe pastaj Mali i Zi për pesë vite rresht e pati të rritur me 2, 3 dhe 5% vlerën e shtuar të produktit, atë që ne e quajmë prodhimi kombëtar, GDP-ja. Ne e humbëm. Në 2009-n kjo ishte 1 miliard dollarë, më fal euro. Me vlerën e asaj kohe mund të konsiderohet sot në nivelin e 2.5 miliardë eurove të sotme. E dyta është një mall i madh, i mbaruar në kohën e pandemisë, pra investim tregtar në qendër të Beogradit. Ajo shkoi diku aty te 1.3 miliardë euro. Më e larta është pikërisht kjo që po debatojmë sot, 4 miliardë. 4 miliardë, çfarë do t'i bëjmë? Do t'i themi jo? Ndoshta ty nuk të kujtohet para 10 vitesh, disa familje nismëtare shkuan edhe u përleshën me ca buldozerë, kështu shtrues të atij shtegut të dhive të gjirit të Kakomesë. Por pas atyre buldozerëve vinte një kompani që është me emër në turizmin e nivelit të lartë në të gjithë botën që quhet Club Mediterranee. Dhe e zbuam. Në rregull, do të kishim në atë kohë ndoshta disa qindra miliona euro, do ishte një super perlë gjiri i Kakomesë. Ende gjiri është me shkurre. Nuk u fitua ndonjë gjë këto 10 vite, shkurret prapë janë aty, për të mos folur pastaj për shkëmbinjtë edhe për shkurret e Sazanit. Kështu që çfarë do bëjmë me këto 4 miliardë? Flasim gjithnjë se, të falënderoj, ti e shikon në prizmin ekonomik, meqenëse bisedën po e bëjmë pikërisht për këtë gjë. Pra është investimi më i rëndësishëm...

Pyetje: Çfarë do kemi ne përfitime?

Fatos Çoçoli: Po. Nëse më lejon, nuk po flasim fare, as që diskutohet që çfarë kërkohet, pra një studim shumë serioz i nivelit më të lartë me të gjitha standardet dhe parametrat e Bashkimit Evropian mjedisor për mbrojtjen sepse është një ekosistem natyror unik që kemi me Nartën, me ishullin, me manastirin, me ishullin e Zvërnecit, pra edhe me gjithë ato zona aty. Për mbrojtjen e florës dhe faunës as që diskutohet që duhet transparencë maksimale, por ama nga ana tjetër, çfarë janë treguesit? Në qoftë se këto 4 miliardë fillojnë edhe disbursohen gradualisht, urojmë që nga viti i ardhshëm deri në 2032-shin që është skenari më optimist, atëherë çfarë do kemi? Do kemi me dhjetëra mijëra vende të reja pune. Në radhë të parë janë nja 7-8 mijë vende të ndërtimit të këtij mega-resorti. Sepse është një sipërfaqe 1.5 milion metra katrorë, janë 150 hektarë në lloj. E dyta janë mbi 8 mijë vende të tjera pune të atyre që do të furnizojnë, pra fermat që do merren me furnizimin e përditshëm të mega-resortit. Çfarë ka tjetër? Mendohet, planifikohet që po të ecin gjërat mirë, do kemi 300 mijë turistë vetëm të huaj, po të një niveli tjetër, jo turistë të byrekut. Ne i mirëpresim ë, nuk parasjellin ndonjë gjë ai apo ajo që mban radhën për byrekët tonat të mëngjesit, mrekullueshëm. Por ama nga ana tjetër, do kemi turistë që do vijnë në një resort të tillë të ëndrrës, shumë të bukur, nuk ka të dytë, domethënë ndoshta ishujt e Greqisë mund të krahasohen, por natyra është e ndërlidhur në atë mënyrë, është një perlë e vërtetë ky ekosistem dhe duhet të vendosim çfarë do ta bëjmë, do ta lëmë akoma me shkurre...

INTERVISTA E PLOTE