AKU: Analizat konfirmojnë përmbajtjen e deklaruar të azotit tek ureja në treg

Produkti plehërues inorganik ure që tregtohet në vend rezulton të jetë i regjistruar dhe në përputhje me kërkesat ligjore për sa i përket përmbajtjes së azotit dhe treguesve fizikë, pas kontrolleve dhe analizave të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU).

Kontrollet u ndërmorën pas denoncimeve dhe pretendimeve për tregtim të produktit Ure me përqindje të azotit më të ulët se ajo e deklaruar në etiketë, si dhe për dyshime mbi përmbajtjen, ngjyrën dhe regjistrimin e tij.

Sipas AKU-së, inspektimet u zhvilluan në të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitet në importin, magazinimin dhe tregtimin me shumicë e pakicë të këtij produkti në territorin e vendit.

Gjatë kontrolleve u morën gjithsej 15 mostra, të cilat iu nënshtruan analizave laboratorike në laboratorin e produkteve plehëruese pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë.

Rezultatet e analizave treguan se përqindja e azotit në të gjitha mostrat ishte në përputhje me vlerat e deklaruara në etiketë. Gjithashtu, edhe treguesit fizikë që lidhen me formën, përmbajtjen dhe ngjyrën e produktit rezultuan konform kërkesave të legjislacionit në fuqi.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bëri të ditur se do të vijojë kontrollet në terren për të garantuar standardet dhe sigurinë në tregun e inputeve bujqësore, ndërsa u ka bërë thirrje fermerëve të raportojnë çdo rast të dyshuar për abuzim me produktet që përdoren në bujqësi.