Karakaçi: Miratuam ligjin e ri të energjisë elektrike, Shqipëria afrohet me standardet e BE-së
Pas mbledhjes së Kabinetit Qeveritar të zhvilluar këtë të mërkurë, më 3 qershor, ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë Enea Karakaçi njoftoi se qeveria ka miratuar një projektligj të ri, që dp rregullojë sektorin e energjisë elektrike.
“Kemi miratuar një projektligj shumë të rëndësishëm për sektorin e energjisë elektrike, që do bëjë të mundur rregullim e sektorit të energjisë elektrike.
Ligji i mëparshëm ishte i vitit 2015 që bëri transformimin e sektorit dhe iu përgjigj sfiudave të kohës. Kishte ardhur koha për një projektligj të ri”, tha Karakaçi.
Ky projektligj i ri sipas ministrit, që pritet të futet shumë shpejt edhe në agjendën e Parlamentit, “e fut Shqipërinë në një koncept të ri”. Ai shprehet se ky rregullim në ligj vjen si një moment shumë domethënës për etapën ku ndodhet sot Shqipëria sa i takon procesit të integrimit.
Karakaçi thekson se projektligji i ri e ka kaluar fazën e konsultimeve me grupet e interesit, shqetësimet dhe sugjerimet e të cilëve janë dëgjuar dhe marrë parasysh.
“Elementi i dytë që dua të theksoj është ai i integrimit europian. Ishte detyrim i Shqipërisë në kuadër të integrimit Europian dhe Planit të Rritjes, një nismë shumë e rëndësishme ku Shqipëria do marrë fonde nga BE.”, shton ministri.
" Me shumë kënaqësi sot ju njoftoj që kemi miratuar në qeveri një projektligj shumë të rëndësishëm për sektorin e energjisë elektrike dhe në fakt projektligjin e rregullimit të sektorit të energjisë elektrike. Duhet të kuptojmë që reformat energjetike ndodhin një herë në 10 vjet apo 15 vjet. Ligji i mëparshëm ishte i vitit 2015, që bëri transformimin e sektorit energjetik në Shqipëri, por iu përgjigj të gjitha sfidave të kohës.
Kishte ardhur momenti për të bërë një projektligj të ri, që rregullon dhe implementon gjithë kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian, por jo vetëm. Ky projektligj i ri që ne kemi miratuar sot në qeveri dhe që miratohet në parlament shumë shpejt besoj, ka disa elemente shumë të rëndësishme. Së pari, për sa i përket rregullimit të sektorit të energjisë elektrike, e fut Shqipërinë në një koncept komplet të ri, duke futur dhe duke parashikuar edhe përkufizime dhe elemente të tjerë që nuk ishin në ligjin e mëparshëm, siç është depozitimi apo storage që quhet, apo format e reja, agregimi për vetë-konsumatorët që kanë shumë interes për gjithë qytetarët dhe për bizneset, por edhe gjithë rregullimin e sektorit energjetik duke e futur në fazën e re, aty ku ndodhet Shqipëria, që sot nuk kemi më vetëm burime energjie hidrike dhe jemi në faza, le të themi mungese sigurie e furnizimit me energji elektrike.
Sot ne jemi në një fazë komplet tjetër, ku energjia fotovoltaike ka kaluar mbi 10% të prodhimit të brendshëm të energjisë elektrike, energjia e rinovueshme ka marrë një hov të ri, ose me anë të ankandeve, ose me anë të ndërtimeve dhe zhvillimeve në tregun e lirë.
Dhe në këtë kuptim, ky rregullim vjen i këtij sektori të ri, i ligjit të ri të sektorit të energjisë elektrike, vjen si një moment shumë domethënës për etapën ku ndodhet sot Shqipëria. Projektligji ka kaluar në të gjitha fazat e konsultimit me grupet e interesit, kemi bërë mbi 2-3 tryeza me grupet e interesit, ku janë marrë në konsideratë të gjitha komentet e tyre. Elementi i dytë që po ashtu është shumë i rëndësishëm për këtë projektligj të sektorit të energjisë elektrike është komponenti i integrimit evropian. Projektligji i sektorit të energjisë elektrike ishte detyrim i Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian, por jo vetëm. Ishte edhe detyrim në kuadër të Growth Plan apo planit të rritjes, ku me miratimin e tij Shqipëria do të marrë dhe ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian.
Pra është një nismë shumë e mirë dhe me shumë kënaqësi nga ana ime që ta propozoja sot në qeveri dhe të miratohej. Një nismë tjetër përsëri që lidhet me ndryshime transformuese të sektorit energjetik ishte dhe miratimi i një impianti energjie fotovoltaike me kapacitet 96 mega. Pse doja ta theksoja këtë? Sepse është e rëndësishme të kuptojmë që sot, Shqipëria ka hyrë në një fazë tjetër transformuese për sa i përket energjisë elektrike.
Energjia e rinovueshme, fotovoltaike, po merr një zhvillim shumë të madh, për shkak edhe të gjitha reformave që ka marrë qeveria shqiptare, dhe sot gjendemi në një moment që, po them, për t'ju dhënë një shembull, kaskada e Fierzës sot është e fikur, për shkak se prodhohet nga energjia fotovoltaike. Në fund të ditës, të gjitha ato gjëra që janë thënë vitet e shkuara dhe ku kërkonim që ne të arrinim në sektorin e energjisë elektrike, gjendemi sot që kemi këto burime të reja të energjisë së rinovueshme që ndihmojnë në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike në Shqipëri", u shpreh Karakaçi.
