Regjistri i bizneseve numëron 250 mijë njësi, gratë drejtojnë 31,6% të sipërmarrjeve
Numri i bizneseve në vitin 2025 shënoi rritje, krahasuar me një vit më parë.
Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në fund të vitit 2025 regjistri i njësive ligjore numëron 250,097 njësi ligjore aktive, duke shënuar një rritje prej 5,1% në krahasim me vitin 2024.
Numri i fermerëve aktivë arriti në 112.205, ose 6,1% më shumë se një vit më parë, ndërsa ndërmarrjet ekonomike aktive u rritën në 137.892, me një shtesë prej 4,3% krahasuar me vitin 2024.
Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 18.297 ndërmarrje të reja, kundrejt 15.970 të regjistruara në vitin 2024, duke reflektuar një dinamikë pozitive të sipërmarrjes në vend.
Ndërkohë, regjistri i njësive lokale përmban 146.527 njësi lokale aktive, ose 4% më shumë se në vitin 2024. Prej tyre, 136.068 ndërmarrje ushtrojnë aktivitet ekonomik në një vendndodhje, ndërsa 1824 ndërmarrje operojnë në më shumë se një vendndodhje.
Të dhënat tregojnë se grupi i aktiviteteve “prodhues të të mirave”, që përfshin bujqësinë, pyjet dhe peshkimin, industrinë dhe ndërtimin, përfaqëson 14,1% të ndërmarrjeve aktive, nga 14% një vit më parë. Ky grup realizon 31,8% të shitjeve neto në ekonomi.
Nga ana tjetër, grupi i “prodhuesve të shërbimeve”, ku përfshihen tregtia, transporti dhe magazinimi, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, informacioni dhe komunikacioni, si dhe shërbimet e tjera, përbën 85,9% të ndërmarrjeve aktive dhe gjeneron 68,2% të shitjeve neto.
Sipas regjistrit, ndërmarrjet me pronarë ose bashkëpronarë të huaj përbëjnë 5% të totalit të ndërmarrjeve aktive dhe punësojnë 12,5% të të punësuarve në vend.
Gjithashtu, vihet re një rritje e përfshirjes së grave në drejtimin e bizneseve. Në vitin 2025, gratë menaxhojnë ose zotërojnë 31,6% të ndërmarrjeve aktive, kundrejt 31,4% në vitin 2024.
Pjesëmarrja më e lartë e grave në vendimmarrje evidentohet në aktivitetet e tregtisë dhe shërbimeve të tjera, ku ato përfaqësojnë respektivisht 34,3% dhe 41,2% të drejtuesve apo pronarëve të bizneseve. Shumica e ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë i përkasin kategorisë me 1 deri në 4 të punësuar.
Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar përfaqësojnë vetëm 1,5% të totalit të ndërmarrjeve aktive, por punësojnë 48,6% të të punësuarve gjithsej dhe realizojnë 44,8% të totalit vjetor të shitjeve neto, duke konfirmuar peshën e tyre të rëndësishme në ekonominë shqiptare.

