Dosja e shpifjes Braçe-Çekrezi drejt perfundimit/ Biznesmeni: U etiketova padrejtësisht si ‘ordiner’ dhe ‘grabitës prone’ nga deputeti i PS
Fillimi i një procesi gjyqësor kundër deputetit Erion Braçe pritet të mbyllet këtë të mërkurë, ku gjykata e posaçme do të vendosë mbi fajësinë apo pafajësinë për deputetin socialist, i paditur për shpifje nga biznesmeni Anduel Çekrezi.
Në seancat gjyqësore, biznesmeni nëpërmjet avokatit të tij Elis Bilali, i paraqiti gjykatës disa postime ku deputeti Erion Braçe publikonte foton e biznesmenit duke i vendosur epitete fyese dhe denigruese të tilla si grabitës, falsifikator apo zagar dhe agai. Këto epitete ligjvënësi socialist u justifikua me faktin se i është përmbajtur ligjit kur ka denoncuar marrjen e një sipërfaqe toke buzë lumit, që në fakt rezulton e blerë nga biznesmeni Çekrezi, ku para gjykatës i paraqiti dhe dokumentet zyrtare të blerjes së sipërfaqes së tokës.
Gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, vetë biznesmeni hodhi akuza ndaj Braçes, ku tha se deputeti më ka propozuar që investimin ta kryej në zonën Divjakës, zonë mbi të cilën Braçe ka qenë deputet i zonës, por një gjë të tillë ai nuk e ka pranuar.
Por nga ana tjetër, avokat Elis Bilali i tha gjykatës se nuk jemi kundër që z. Braçe të mbrojë interesin e tij publik më të lartë, edhe pse mendojmë që tejkalon kompetencat e tij, apo të citojë disa referime të bazës ligjore që i vlerëson pikërisht ai, por jemi këtu për terminologjinë e përdorur përsa i përket të mbrojturit prej meje Anduel Çekrezi, "ordiner", "grabitës prone", "vjedhës".
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe biznesmeni Çekrezi, ku u shpreh se po përballet me akuza dashakeqëse dhe është ndjerë i paragjykuar nga akuzat e deputetit Braçe. Ai tha para gjykatës se koha kur deputetët të kapin prej dore biznesmenët dhe t'i çojnë nëpër zyrat e shtetit duhet të marrë fund.
Nëse Erion Braçe shpallet fajtor, sipas dispozitave ligjore rrezikon nga 1 vit burg deri në gjobë.
