TENSIONET NË ZVËRNEC/ Hoxha: Shteti duhet të sqarojë çfarë po ndodh në Vlorë dhe kush mban përgjegjësi
E ftuar në emisionin “Drejt” ishte këshilltari bashkiak i Vlorës, Atird Hoxha, i cili komentoi situatën e krijuar në Zvërnec pas protestave kundër projektit turistik dhe debateve që kanë shoqëruar ndërhyrjet në zonë.
Gjatë intervistës, Hoxha u ndal te pritshmëritë që qytetarët kishin për të marrë më shumë sqarime mbi atë që po ndodh në Zvërnec, duke argumentuar se vëmendja duhet të përqendrohet te përgjegjësitë institucionale dhe jo vetëm te konfliktet në terren.
"Qytetarët prisnin përgjigje për atë që po ndodh në Zvërnec. Problemi nuk mund të lihet mes protestuesve dhe atyre që pretendojnë pronësinë. Kjo është një çështje ku duhet të ndërhyjë shteti."-tha ai.
Sipas Hoxhës, ndërhyrjet në territor kanë nisur prej ditësh dhe debati nuk lidhet vetëm me vendosjen e gardhit, por me mënyrën se si po menaxhohet e gjithë situata në zonë.
Ai tha se institucionet duhet të japin informacion të plotë për projektin dhe statusin e pronave, në mënyrë që të shmangen tensionet dhe përplasjet.
Këshilltari bashkiak komentoi edhe incidentet e raportuara gjatë protestave, duke ngritur shqetësimin për mënyrën se si u menaxhua situata në terren.
"Kur ka tension mes qytetarëve dhe subjekteve private, shteti duhet të jetë rregullatori. Roli i institucioneve është të garantojnë rendin dhe të japin përgjigje për çdo paqartësi që lind."-u shpreh ai.
Hoxha u shpreh se çështja e Zvërnecit ka nevojë për më shumë transparencë dhe komunikim me qytetarët, duke shtuar se debatet për pronat, zhvillimin dhe mbrojtjen e territorit kërkojnë zgjidhje institucionale dhe jo përplasje në terren.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS:

