AKSIDENT I RËNDË NË BOÇEVË/ U përplas me furgonin, mjeti përmbyset dhe përfundon i varur në pemë

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të marte në aksin Shupenzë–Ura e Topojanit, në zonën e njohur si Boçevë, ku janë përfshirë dy automjete.

Nga përplasja kanë mbetur të plagosur dy persona, të cilët kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe janë transportuar drejt spitaleve për trajtim të specializuar.

Njëri prej tyre është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa personi tjetër në spitalin e Bulqizës.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë forcën e përplasjes, pasi njëra prej makinave ka përfunduar jashtë rrugës dhe ka mbetur e varur në një pemë pranë aksit rrugor.

Aksidenti është konstatuar fillimisht nga drejtues të tjerë mjetesh që po lëviznin në zonë. Ata kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur ambulanca dhe efektivët e policisë.

Policia ka nisur veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në përplasjen e dy automjeteve.