Prezantohet drejtoresha e re e QSUT-së, Rudina Degjoni

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është prezantuar sot drejtuesja e re e institucionit, Rudina Degjoni. E pranishme në këtë takim, ishte edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u shpreh se “Degjoni vjen në krye të QSUT-së pas një eksperience të gjatë në drejtim dhe menaxhim spitalor, duke sjellë me vete një kontribut të çmuar në administrimin dhe zhvillimin e shërbimeve shëndetësore”.

MShMS bën me dije se “ky emërim vjen pas lirimit nga detyra të drejtoreshës së përgjithshme Anxhela Paparizo”.

Kjo e fundit mbante detyrën e drejtueses së QSUNT-së prej 23 shtatorit të vitit 2025. Në këtë rol, Paparizo drejtoi proceset administrative dhe strategjike të institucionit, me fokus në përmirësimin e shërbimeve spitalore, modernizimin e infrastrukturës dhe forcimin e standardeve të kujdesit ndaj pacientit.

Ndërsa, drejtuesja e re e QSUNT-së, Rudina Degjoni më herët ka mbajtur postin e drejtoreshës së Spitalit Memorial Fier.