1 Qershori, Malaj: E gjithë bota duhet të bëhet bashkë kur vjen momenti për të menduar për fëmijët

Muaji qershor ka nisur me një atmosferë feste dhe reflektimi të thellë për shoqërinë, ndërsa vëmendja kthehet te më të vegjlit. Pedagogia e njohur Nora Malaj e ftuar në studion e lajmeve në "Ora News" u shpreh se 1 Qershori nuk është thjesht një datë në kalendar, por ajo që mund të konsiderohet si festa më "bio" dhe më e pafajshme e vitit.

Ky gëzim nuk u përket vetëm atyre që cilësohen si ëngjëj në tokë, por përfshin çdo qelizë të familjes, nga prindërit e rinj deri te gjyshërit dhe të afërmit e tjerë. Pavarësisht moshës apo rritjes, fëmijët mbeten përherë fëmijë në sytë e prindërve të tyre, duke e kthyer këtë ditë në një festë universale të dashurisë së pakushtëzuar.

Megjithatë, përtej gëzimit, diellit dhe zërave të lumtur që mbushin sheshet, Malaj vuri theksin tek  apeli i kësaj dite merr një kthesë dramatike kur vëmendja kthehet te realitetet e hidhura globale.

Fakti që fëmijët në vendin tonë kanë fatin të festojnë në paqe, shihet si një bekim i madh, një arsye për ta parë gotën plot. Por, ky privilegj mungon për mijëra të vegjël në mbarë botën. Në një thirrje therëse drejtuar ndërgjegjes globale, është kërkuar që sytë të kthehen nga ata fëmijë që sot përballen me tmerret e luftërave. Ndërsa bashkëmoshatarët e tyre festojnë, këta të vegjël ëndërrojnë thjesht të kenë një lodër dhe të jenë pjesë e gëzimit.

Mesazhi thelbësor është i qartë: e gjithë bota duhet të bëhet bashkë për të mbrojtur fëmijët. Kontributi i shoqërisë nuk duhet të kufizohet vetëm në dhurata, por në sigurimin e një të ardhmeje të garantuar, ku të drejtat e çdo fëmije respektohen pa kompromis.

Ky 1 qershor shërben si një kambanë alarmi se paqja dhe siguria e fëmijëve duhet të jenë prioriteti absolut i njerëzimit, shtoi ndër tjerash Malaj.

Nora Malaj"E nisim mbarë muajin me një nga festat do ta quaja unë, festat më të pafajshme dhe më të vërteta. Ose ndryshe do ta quaja festa bio, që është 1 qershori.

Fillon muaji qershor me festën e atyre që janë ëngjëjt në tokë, që quhen fëmijët tanë dhe që ne i duam pafund. Dhe që për prindërit, fëmijët sado që rriten nesër, maturohen, ngelen prapë fëmijët e tyre. Prandaj kjo është një festë që përfshin të gjithë. Përfshin prindërit e rinj, përfshin ata që do bëhen prindër, përfshin gjyshërit, përfshin tezet, hallat, xhaxhallarët.

Pra përfshin tërë familjen dhe ndoshta do ta quaja është festa më e bukur se të jep energjinë e mirë, koha është e bukur, dielli shkëlqen, ndoshta shkëlqen pak më shumë, por gëzimi i fëmijëve është aq i hareshëm dhe zërat e tyre saqë ty të japin kënaqësinë e një jete që ta shohësh gotën të mbushur plot dhe të thuash që sa fatlum jemi që fëmijët tanë sot kanë shansin për të festuar në paqe 1 qershorin.

Kjo është një thirrje dhe shumë e fortë në këtë 1 qershor për t'iu drejtuar të gjithë fëmijëve në botë, sidomos atyre që sot vuajnë dhe janë në situata luftërash dhe që në një mënyrë apo në një tjetër do donin shumë të kishin lodrat pranë dhe të ishin pjesë e gëzimit. 

Ndaj themi që e gjithë bota duhet të bëhet bashkë kur vjen momenti për të menduar për fëmijët, për të dhënë kontributin për ta, po mbi të gjitha për t'iu siguruar një të ardhme të sigurt, një të ardhme të garantuar dhe për të respektuar të drejtat e tyre."