Nga Ksamili në Zvërnec/ Analistja Gjyli ngre alarmin: Debati nuk mund të kufizohet vetëm te një investitor

E ftuar në emisionin “Drejt” ishte analistja Arsejda Gjyli, e cila komentoi debatin e hapur së fundmi për investimet e huaja në bregdetin shqiptar, me fokus te projekti në Zvërnec dhe diskutimet që kanë shoqëruar zhvillimet në zonat turistike të vendit.

Gjyli u ndal te reagimet publike dhe politike që kanë shoqëruar projektin në Zvërnec, duke vënë në dukje se debati nuk duhet të kufizohet vetëm te një rast i veçantë, por të shtrihet edhe te mënyra se si janë trajtuar investimet dhe pasuritë publike ndër vite.

"Historia e Zvërnecit nuk ka nisur sot. Kur flasim për investimet dhe për mënyrën si janë zhvilluar zona të caktuara, duhet të shohim të gjithë panoramën dhe jo vetëm një rast të veçantë."-tha Gjyli.

Gjatë bisedës, ajo përmendi edhe diskutimet që lidhen me projekte të tjera në jug të vendit, duke thënë se debati publik është përqendruar te Zvërneci, ndërsa prej kohësh janë ngritur shqetësime edhe për zona të tjera bregdetare.

"Kur ngrihen shqetësime për trashëgiminë kulturore, mjedisin apo territorin, ato duhet të trajtohen me të njëjtin standard kudo dhe jo vetëm kur një çështje merr vëmendje të madhe mediatike."-shtoi ajo.

Sipas saj, diskutimi për investimet e huaja duhet të shoqërohet me transparencë, analiza të plota dhe garanci për mbrojtjen e pasurive natyrore e kulturore, në mënyrë që zhvillimi ekonomik të ecë paralelisht me ruajtjen e identitetit dhe historisë së vendit.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS: