"Butrintit i janë hequr 632 hektarë"/ Guri: Po flitet për projekte që ndryshojnë identitetin e zonës
E ftuar në emisionin “Drejt” ishte ambientalisti Sazan Guri, i cili komentoi debatet e fundit për menaxhimin e territorit, investimet në bregdet dhe çështjet që lidhen me zonat e mbrojtura në jug të vendit.
Guri u ndal veçanërisht te Parku Kombëtar i Butrintit, duke shprehur shqetësimin për ndryshimet që, sipas tij, kanë prekur sipërfaqen dhe statusin e zonës ndër vite.
"Çështja nuk është vetëm te gardhi apo te ngjarjet e ditëve të fundit. Problemi është shumë më i gjerë dhe lidhet me mënyrën se si janë trajtuar territore me rëndësi historike dhe arkeologjike."-tha Guri.
Gjatë diskutimit, ai përmendi edhe Butrintin, Nartën dhe Zvërnecin, duke argumentuar se këto zona përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë natyrore dhe historike të Shqipërisë dhe kërkojnë më shumë vëmendje institucionale.
Sipas Gurit, debati për zhvillimin ekonomik duhet të shoqërohet gjithmonë me mbrojtjen e pasurive kombëtare dhe me transparencë për projektet që prekin territore të ndjeshme.
"Kur njeh historinë e një vendi, e kupton më mirë pse duhet ta mbrosh. Butrinti, Narta dhe Zvërneci nuk janë thjesht emra në hartë, por pjesë e identitetit tonë."-shtoi ai.
Ambientalisti foli edhe për nevojën e një debati më të gjerë publik mbi menaxhimin e bregdetit shqiptar, duke kërkuar që zhvillimi, turizmi dhe mbrojtja e trashëgimisë të ecin paralelisht, pa cenuar vlerat historike dhe mjedisore të zonave të mbrojtura.
NDIQNI EMISIONIN "DRJET" E PLOTË NË ORA NEWS:

