Zbulime tronditëse për detin me Greqinë/ Meçollari: Si u falën sipërfaqe dhe prapaskenat e Gjykatës së Hagës
Një diskutim i thelluar nga ekspertë dhe diplomatë ka nxjerrë në dritë detaje shqetësuese rreth negociatave për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Në emisionin "Drejt", në "Ora News", ishte Artur Meçollari, i cili theksoi se marrëveshja e vitit 2009 mbetet një nga pikat më kritike të historisë diplomatike shqiptare, e cilësuar si një pakt ku u bënë gabime thelbësore që çuan në humbjen e rreth 40 kilometrave katrorë sipërfaqe detare.
Ai shpjegoi se në atë marrëveshje, parimi i delimitimit nuk u zbatua me korrektësi. U theksua se shkëmbinjve dhe ishujve të vegjël grekë, si shkëmbi Barketa apo ishulli i Othonoit, iu dha fuqi e plotë në ndarjen e detit territorial dhe zonës ekonomike, duke cenuar rëndë interesat e Shqipërisë. Kur u vendosën mbi njëra-tjetrën të gjitha hartat e propozuara ndër vite gjatë bisedimeve të vitit 2018, harta e vitit 2009 rezultoi të ishte më e dëmshmja, duke u pozicionuar krejtësisht në disfavor të shtetit shqiptar.
"Deti na ka bashkuar gjithmonë me Greqinë, sepse në fund të fundit jemi fqinj të përjetshëm dhe do të jemi të tillë. Në fund të Jugut të Shqipërisë, Himara, historikisht e ka bërë tregtinë... se janë një nga dy burimet e traditës detare në Shqipëri, është Ulqini dhe Himara. Ulqini në Veri dhe Himara në Jug. Dhe Himara e ka bërë gjithmonë tregtinë me, dhe historikisht me ishujt Jonianë, me Korfuzin. Pra deti ka qenë një urë lidhëse midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe është urë lidhëse gjithmonë, por çështja është si e trajton detin.
Sepse marrëveshja e 2009-ës ka eliminuar dy elementë, të cilët në qoftë se do të ishin në marrëveshjen e 2009-ës, do të kishim një sipërfaqe shtesë. Shiko, të jemi të qartë, pavarësisht trajtimit, ndarje e drejtë, ndarje e barabartë, parimet... shtetet hyjnë në një marrëveshje detare për të marrë sa më shumë sipërfaqe. Mënyra se si artikulojnë parimet është histori tjetër. Të jemi të qartë me këtë domethënë, kushdo që thotë që ne po hyjmë për një marrëveshje... po, e ndershme... për një marrëveshje të ndershme është kur palët e pranojnë, kanë zbatuar parimet, por palët hyjnë për të marrë sa më shumë sipërfaqe.
Dhe, në qoftë se marrim tani 2009-ën. Në 2009-ën janë bërë tre gabime thelbësore që kanë ndikuar direkt në sipërfaqe. Nuk po flas për nenin 2 që ka lidhje me Turqinë, po e lëmë mënjanë titullin e marrëveshjes. Një: nuk u hoq vija e drejtë bazë, me efekt 40 kilometra katrorë. Parimi i delimitimit... parimi i delimitimit duhet të jetë vija me distanca të barabarta, e korrektuar për ekuite. Kjo për ishujt në detin territorial dhe për shelfin kontinental dhe zonën ekonomike. Dhe për shkëmbinjtë në detin territorial dhe për ishujt në zonën ekonomike dhe shelfin kontinental. Pra, ne kemi shkëmbin Barketa që nuk mund të ketë peshë të plotë në detin territorial, kur shkëmbi qoftë herë duket, herë nuk duket. Dhe ishulli i Othonoit i cili nuk mund të ketë fuqi të plotë në shelfin kontinental dhe detin territorial. Pra, të treja këto krijojnë sipërfaqe për Shqipërinë. Të treja këto janë eliminuar në vitin 2009. Dhe ne nuk kemi më çfarë t'i marrim Shqipërisë... Greqia, sepse... ose ne s'kemi çfarë t'i japim se nuk na i mori njeri, a e kupton? Sepse ka vajtur tavolina në fund të murit dhe nuk shtyhet dot më. Dhe të duan... dhe të dojë dikush ta shtyjë vijën, nuk e shtyn dot më. Thelbi këtu është që kur hyjmë prapë në negociata, se në fakt vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë. Gjykata Kushtetuese vetëm një gjë nuk ka trajtuar, vijën e drejtë bazë. Të gjithë këto problemet e tjera i ka trajtuar, dhe çështjet proceduriale", u shpreh Mecollari.
Ndiqni emisionin e plotë:
